
Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është emëruar Shef i Shtabit Qendror Zgjedhor të kësaj force politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ku ka theksuar se do të angazhohet plotësisht në udhëheqjen e fushatës së partisë.
Ai tha se PDK hyn në këtë garë e përgatitur, e bashkuar dhe e vendosur për t’i rikthyer vendit “normalitetin, stabilitetin dhe zhvillimin”.
Krasniqi njoftoi gjithashtu se ai nuk do të jetë pjesë e listës zgjedhore për deputet, pasi ka vendosur t’i përkushtohet tërësisht menaxhimit të fushatës dhe mbështetjes së kandidatit për kryeministër të PDK-së, Bedri Hamza.
“Pas shtatë mandateve si deputet, këtë herë kam zgjedhur të mos kandidoj, në mënyrë që të fokusohem plotësisht në organizimin dhe udhëheqjen e fushatës”, ka shkruar ai, duke theksuar se synimi mbetet “një Kosovë më e mirë për të gjithë”.
Krasniqi ka ftuar strukturat dhe mbështetësit e PDK-së që të ecin bashkë drejt fitores në zgjedhjet e fundvitit. (A2 Televizion)
