Nga zgjedhjet në zgjedhje. Ende pa përfunduar procesi i zgjedhjeve lokale të 12 tetorit dhe 9 nëntorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka hyrë në fazën finale për përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare në Kosovë që do të mbahen më 28 dhjetor.
“Këto janë zgjedhje të parakohshme dhe duhet që të gjitha aktivitetet zgjedhore duhet të organizohen brenda një periudhe 37 ditore, kjo është sfiduese në kuptimin organizativ sepse bëhet fjalë për qindra aktivitete zgjedhore të cilat duhet të organizohen gjatë kësaj periudhe përgatite në mënyrë që procesi zgjedhor të jetë i gatshëm për ditën e zgjedhjeve 28 dhjetor”, tha Valmir Elezi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Të martën ka nisur edhe periudha e aplikimit dhe regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës e cila do të mbyllet më 6 dhjetor.
Diaspora kosovare ka të drejtë të votojë përmes dy mënyrave në zgjedhjet parlamentare.
“Qytetarët apo shtetasit e Kosovës të cilët jetojnë jashtë vendit në momentin e regjistrimit të tyre si votues jashtë Kosovës kanë të drejtë që të përzgjedhin mënyrën se si duan të votojnë, pra të votojnë fizikisht në ndonjërin nga përfaqësitë diplomatike apo të regjistrohen për të votuar përmes postës duke dërguar pakon me fletëvotim”, tha Elezi.
Fushata për zgjedhjet e parakohshme do të fillojë më 17 dhjetor dhe do të mbyllet mëngjesin e 28 dhjetorit para hapjes së qendrave të votimit. (A2 Televizion)
