PDK refuzon pjesëmarrjen, presin Kushtetuesen. Dështon zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit

Nga Xhevahir Qardaku
11 Shtator 2026, 14:07 | Politikë

Nuk ka fund kriza politike në Kosovë. Seanca e ditës së sotme që u ndërpre pas dështimit të zgjedhjes së nënkryetarëve rifillon pas orës 14 me synimin për të përfunduar konstituimin e legjislaturës së 11. Gjatë mesditës pati përplasje të forta verbale për mënyrën e votimit dhe palët lëshuan akuzat të ndërsjella. Ardian Gola i Vetëvendosjes u zgjodh nënkryetar me një rekord prej 101 votash pro.

Ndërsa Vlora Çitaku e Partisë Demokratike të Kosovës nuk mori më shumë se 44 vota nga të paktën 61 që i duheshin. Kjo bëri që seanca të ndërpritej nga kryeparlamentare Albulena Haxhiu që vlerësoi se nuk ka konsensus mes partive politike për të vazhduar më tej.

Më pas kryetari i PDK-së, Bedri Hamza njoftoi se ligjvënësit e forcës politike që drejton kanë hequr dorë nga pjesëmarrja në vazhdimin e seancës konstitutive, ndërsa do të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me veprimet në Kuvend për të vijuar më tutje.

“Këtu ka përfunduar, domethënë, pjesëmarrja jonë në seancat e Kuvendit të Republikës së Kosovës deri në përgjigjen e plotë nga Gjykata Kushtetuese. Do ta dërgojmë brenda afatit ligjor dhe kushtetues për të gjitha shkeljet të cilat e kanë përcjellë këtë proces.

Shiko, ne kemi propozuar kandidaten tonë, një kandidate me shumë vlera, me shumë përvojë institucionale e politike, e cila ka qenë edhe në të kaluarën nënkryetare e Kuvendit, dhe unë jam i bindur që ajo do t’i kishte dhënë vlerë edhe peshë pozicionit të nënkryetarit. Nuk ka asnjë arsye që ne të tërhiqemi nga ky propozim. Dihen, dihen qëndrimet tona. Bisedat kanë përfunduar”, tha Hamza.

“Unë nuk dëgjova që pati përkrahje. Ende nuk erdhëm. Përkrahja vërtetohet me votë dhe nuk pati. Kur po them se ka mungesë konsensusi, po them që s’kishte përkrahje nga Vetëvendosja edhe për kandidatin tonë, por edhe për kandidatët e tjerë. Dialogu, çfarëdo konsultash, sepse e kemi për obligim. Jemi po ashtu të gatshëm dhe këtu për t’i përkrahur propozimet e partive politike për nënkryetarë, që të ndodhë sa më shpejt konstituimi”, tha Çitaku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos