
Paraditen e së enjtes u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Lartë Gjyqësor, e thirrur për të diskutuar ngërçin e krijuar lidhur me pagat e magjistratëve.
Kreu i KLGJ-së, Sokol Sadushi, e cilësoi situatën të jashtëzakonshme dhe theksoi se për herë të parë, pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, janë bllokuar pagat e gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore.
Sipas tij, problematika nuk lidhet vetëm me një mosmarrëveshje financiare, por prek edhe raportet kushtetuese ndërmjet pushteteve, përcjell A2.
Fjala e plotë e Sokol Sadushit:
Kjo Mbledhje e Përgjithshme është thirrur në mënyrë të jashtëzakonshme, sepse e jashtëzakonshme është edhe situata që po përjeton pushteti gjyqësor. Për herë të parë, pas një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese që lidhet drejtpërdrejt me pagën e magjistratëve, janë bllokuar pagat e gjyqtarëve dhe të administratës gjyqësore. Ky nuk është më një problem i administrimit financiar; është një pengesë konkrete për funksionimin normal të gjykatave dhe një çështje që prek drejtpërdrejt rendin kushtetues.
Për këtë arsye, reagimi institucional nuk mund të mbetej reagim i një gjykate, i një këshilli apo i disa drejtuesve. Kur pasoja prek të gjithë pushtetin gjyqësor, përgjegjësia për të folur dhe për të mbajtur qëndrim është e përbashkët.
Ajo që kemi përpara nuk është thjesht një mosmarrëveshje financiare. Është një çështje që prek raportet kushtetuese ndërmjet pushteteve, forcën detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kushtet në të cilat gjyqësori ushtron funksionin e tij.
Qëllimi ynë sot nuk është të prodhojmë një reagim emocional dhe as të ushqejmë një përplasje institucionale. Përgjegjësia jonë është më e madhe. Të flasim qartë, bashkërisht dhe institucionalisht për atë që ka ndodhur, për pasojat që ka sjellë dhe për rrugët kushtetuese e ligjore me të cilat duhet të mbrohen funksionimi i gjykatave, pavarësia e gjyqësorit dhe dinjiteti i njerëzve që i shërbejnë çdo ditë drejtësisë. Kjo, sepse çështja nuk kufizohet te masa e pagës. Ajo vë në provë nëse një vendim përfundimtar kushtetues zbatohet edhe kur zbatimi i tij krijon vështirësi institucionale apo financiare.
Kjo situatë po paraqitet shpesh si një “përplasje ndërmjet gjyqësorit dhe ekzekutivit”. Ky përshkrim e zhvendos vëmendjen nga thelbi. Mund të ketë debat për mënyrën e zbatimit, por jo për detyrimin për të zbatuar një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Ajo që kemi përpara nuk është garë force ndërmjet pushteteve, por provë e forcës së Kushtetutës mbi secilin prej tyre.
Dua ta them që në fillim. Gjyqësori nuk është këtu për të kërkuar privilegje dhe as për t’i kërkuar kujtdo një nder. Gjyqtarët e Republikës nuk kanë vendosur as masën e pagës së tyre, as rritjen e saj dhe as formulën, mbi të cilën ajo përllogaritet.
Statusin tonë e ka përcaktuar Kushtetuta. Pagën dhe garancitë e saj i ka përcaktuar ligji. Për kushtetutshmërinë e këtij rregullimi është shprehur Gjykata Kushtetuese. Kur kërkojmë respektimin e këtyre garancive, nuk kërkojmë një privilegj apo një përfitim të ri. Kërkojmë që shteti të përmbushë detyrimet që burojnë nga Kushtetuta, ligji dhe vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese.
Këtu lind një pyetje e thjeshtë, por e pashmangshme: çfarë norme duhet të zbatojë sot administrata e shtetit? A mund t’i kërkohet një institucioni të Republikës që, pas datës 31 korrik, të vazhdojë të zbatojë pikërisht formulën, që Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar si antikushtetuese? Një normë e shfuqizuar nuk mund të rikthehet në fuqi përmes mosveprimit dhe as të mbahet në jetë përmes një praktike administrative.
Dhe nëse formula e vjetër nuk mund të zbatohet më, atëherë pyetja që shtrohet është po aq e drejtpërdrejtë: cila është paga që autoritetet ekzekutive u njohin gjyqtarëve të Republikës nga data 1 gusht 2026 deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri dhe që administrata shtetërore ka detyrimin të përmbush?
Mosveprimi i Kuvendit brenda afatit nuk mund të ketë si pasojë që gjyqtari të mbetet pa një pagë të përcaktuar. Deri në hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore, garancia kushtetuese e pagës mbetet plotësisht e zbatueshme dhe neni 138 i Kushtetutës vijon të prodhojë të gjitha efektet e tij. Të pranohej e kundërta, do të thoshte t’i njihej mosveprimit të ligjvënësit një fuqi që nuk mund ta ketë: të pezullonte një garanci kushtetuese dhe të pengonte zbatimin e një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Në një shtet të së drejtës, paga e një funksionari nuk është akt bujarie i atij, që administron fondet publike. Buxheti i shtetit është instrumenti financiar i Republikës dhe duhet t’i shërbejë funksionimit të të gjitha pushteteve të saj. Atë që ligji e njeh si detyrim, buxheti duhet ta bëjë të realizueshme.
E drejta e gjyqtarit për pagë nuk lind nga buxheti. Ajo buron nga Kushtetuta dhe ligji. Mungesa e planifikimit mund të kërkojë rishpërndarje fondesh, shtesë financimi, apo rishikim buxheti, por nuk mund ta shndërrojë një detyrim kushtetues në detyrim fakultativ. Në një shtet të së drejtës nuk është Kushtetuta ajo që përshtatet me buxhetin, por është buxheti që duhet të përshtatet për të bërë të mundur zbatimin e Kushtetutës. Procedurat buxhetore duhet ta realizojnë këtë detyrim, jo ta neutralizojnë atë.
Prandaj, paga e gjyqtarit nuk mund të trajtohet si një e ardhur e zakonshme buxhetore. Ajo është pjesë e statusit të tij kushtetues dhe përbën një garanci konkrete të pavarësisë në ushtrimin e funksionit. Paga nuk është një shpërblim, që jepet sipas vlerësimit të ekzekutivit dhe as një instrument që mund të përdoret për të ndikuar mbi gjyqësorin, apo për të shprehur qëndrimin ndaj vendimmarrjes së tij. Kjo garanci nuk mbron vetëm gjyqtarin si individ. Ajo mbron, para së gjithash, qytetarin, i cili duhet të ketë sigurinë se çështja e tij do të gjykohet nga një gjyqtar i pavarur nga çdo pushtet tjetër.
Kjo situatë ka edhe një dimension të drejtpërdrejtë njerëzor. Administrata gjyqësore është pa paga. Sekretarë gjyqësorë, kancelarë, nëpunës dhe punonjës të gjykatave, njerëzit që çdo mëngjes hapin dyert e gjykatave dhe bëjnë të mundur që sistemi të funksionojë, janë lënë pa të ardhurën me të cilën mbajnë familjet e tyre. Ata nuk kanë marrë asnjë vendim për këtë çështje dhe nuk janë palë në asnjë mosmarrëveshje ndërinstitucionale. Pasojat nuk mund të shkarkohen mbi ta.
Administrata gjyqësore nuk mund të mbajë pasojat e një mosmarrëveshjeje që nuk e ka krijuar. Nëse shteti ka një mosmarrëveshje juridike, ai ka institucione dhe mjete juridike për ta zgjidhur, por nuk mund ta zgjidhë mbi ekonominë familjare të njerëzve, që mbajnë gjykatat në funksion.
Dua t’u drejtohem sot posaçërisht atyre. Ju nuk jeni pjesa e harruar e sistemit të drejtësisë. Jeni pjesë e domosdoshme e tij. E dimë se çfarë do të thotë për një familje të mbetet pa pagë: detyrime dhe kredi që nuk presin, shpenzime të përditshme dhe nevoja të fëmijëve. Kjo është edhe më e ndjeshme në fillim të vitit të ri shkollor. Për ju, paga nuk është formulë juridike apo zë buxhetor. Ajo është siguria e përditshme e familjes.
Ju nuk mund dhe nuk duhet të mbani mbi familjet tuaja koston e një situate, që nuk e keni krijuar. Respekti për pavarësinë e gjyqësorit fillon edhe nga respekti për njerëzit, që e bëjnë atë të funksionojë. Prandaj, zhbllokimi i menjëhershëm i pagave të administratës gjyqësore nuk është çështje negociate, por është detyrim njerëzor, institucional dhe shtetëror.
Të nderuar kolegë,
Gjyqtarët janë mësuar të flasin përmes vendimeve të tyre. Shpesh heshtin edhe kur sulmohen, sepse natyra e funksionit u imponon përmbajtje dhe maturi. Kjo vetëpërmbajtje nuk është dobësi dhe as dorëzim. Megjithatë ka një kufi përtej të cilit heshtja nuk është më maturi, kur cenohen garancitë e pavarësisë dhe rrezikohet funksionimi normal i gjykatave. Në atë çast, mbrojtja e pavarësisë nuk është vetëm e drejtë e gjyqtarit. Ajo është përgjegjësi kushtetuese. Sot jemi pikërisht në atë çast.
Ka vite që drejtësisë shqiptare i kërkohet shumë dhe me të drejtë, integritet, profesionalizëm, shpejtësi dhe cilësi. I kërkohet të luftojë korrupsionin, të mbrojë të drejtat e qytetarëve dhe të jetë një nga shtyllat e procesit të integrimit evropian.
Pikërisht sepse kërkesat ndaj drejtësisë janë kaq të larta, po aq i lartë duhet të jetë standardi, me të cilin shteti garanton kushtet e ushtrimit të funksionit të saj. Nuk mund t’i kërkosh drejtësisë të jetë e fortë dhe njëkohësisht të dobësosh institucionet, që duhet ta japin atë; t’i kërkosh gjyqtarit pavarësi dhe ta trajtosh statusin e tij si të negociueshëm; t’i kërkosh administratës të mbajë sistemin në këmbë dhe ta lësh pa pagë. Nuk mund t’i kërkosh qytetarit të besojë te drejtësia, ndërsa vetë shteti i transmeton mesazhin se gjyqësori është barrë, problem apo kundërshtar.
Çfarë mesazhi i japim gjyqtarit, sidomos atij që sapo ka hyrë në sistem, kur i kërkojmë të jetë i pavarur përballë çdo presioni, ndërsa sheh se një garanci e përcaktuar nga Kushtetuta dhe e interpretuar përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese, mund të mbetet pa efekt për shkak të një vendimmarrjeje administrative? Pavarësia nuk ndërtohet vetëm duke i thënë gjyqtarit “ji i pavarur”. Shteti duhet t’i krijojë kushtet që ai të jetë realisht i tillë.
Pikërisht për këtë arsye, mbrojtja e pavarësisë së gjyqtarit nuk duhet të shihet si një qëndrim kundër shtetit. Gjyqtarët nuk janë kundërshtarët e shtetit. Ata janë pjesë e vetë shtetit, po aq sa Kuvendi, Qeveria dhe çdo institucion tjetër kushtetues.
Ndarja e pushteteve nuk është ndarja e shtetit në kampe kundërshtare, por është mënyra se si demokracia e shpërndan pushtetin, që askush të mos e ketë të gjithin. Marrëdhënia ndërmjet pushteteve nuk mund të ndërtohet mbi epërsi, nënshtrim apo mosbesim, por mbi respektin reciprok të kompetencave kushtetuese. Secili duhet të jetë i fortë brenda kufijve të tij: Kuvendi në ligjvënie, ekzekutivi në qeverisje dhe gjyqësori në dhënien e drejtësisë, i pavarur nga çdo ndërhyrje. Asnjëri nuk është mbi tjetrin dhe asnjëri nuk është nën tjetrin. Të gjithë janë nën Kushtetutën.
Këtu qëndron dallimi ndërmjet konfliktit politik dhe kontrollit kushtetues. Një vendim gjyqësor mund të mos pëlqehet, të kritikohet, madje të konsiderohet i gabuar. Ndërkohë, kur ai është përfundimtar, nuk është një propozim, që zbatohet vetëm nëse pushteti tjetër bindet për drejtësinë e tij. Prej atij çasti nuk diskutohet më nëse pajtohemi me të, por diskutohet vetëm se si do të zbatohet.
Mosveprimi i Kuvendit nuk mund t’i japë ekzekutivit të drejtën të pezullojë efektet e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Përndryshe, fuqia e vendimit do të varej nga vullneti i organit, që duhet ta zbatojë. Në një shtet të së drejtës ndodh e kundërta. Organi shtetëror i nënshtrohet vendimit, jo vendimi vullnetit të organit shtetëror.
Mënyra se si institucionet sillen përballë një vendimi të tillë tregon nivelin real të kulturës sonë kushtetuese dhe evropiane. Shqipëria kërkon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, por integrimi nuk është vetëm proces ligjor apo destinacion politik. Para së gjithash, është kulturë institucionale: respekt për shtetin e së drejtës, vendimet e gjykatave, ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e gjyqësorit.
Nuk mjafton të përafrojmë ligjet, sepse duhet të përafrojmë edhe mënyrën se si institucionet i kuptojnë dhe i respektojnë kufijtë e tyre. Mentaliteti evropian provohet pikërisht, kur një vendim zbatohet edhe pse nuk pëlqehet. Shteti i së drejtës nuk matet me gatishmërinë për të zbatuar vendimet që na leverdisin, por me bindjen ndaj Kushtetutës, kur zbatimi është i vështirë. Ligjet evropiane, pa kulturë institucionale evropiane, nuk mjaftojnë.
E njëjta kulturë duhet të reflektohet në mënyrën si flasim për drejtësinë. Kritika ndaj gjykatave dhe vendimeve të tyre është legjitime. Asnjë gjyqtar dhe asnjë gjykatë nuk është mbi kritikën, por ndërmjet kritikës dhe denigrimit ka një kufi që nuk duhet fshirë. Shteti i së drejtës nuk ndërtohet duke e dobësuar apo anatemuar drejtësinë. Kush mendon se një gjyqësor më i dobët i shërben interesit të çastit, duhet të kujtojë se nesër mund të ketë nevojë për një gjyqtar të fortë, të paanshëm dhe të pavarur nga qeveria, parlamenti, media dhe presioni i opinionit publik. Pikërisht këtë gjyqtar duhet të mbrojmë sot.
Të nderuar kolegë,
Më lejoni një reflektim personal, jo për veten time, por për atë që duhet të përfaqësojë secili prej nesh në funksionin që ushtron. Pas shumë vitesh shërbimi në drejtësi, një bindje e kam të palëkundur: detyra e gjyqtarit nuk është favor që na bëhet dhe paga, që na jepet sipas ligjit, nuk krijon borxh ndaj askujt. Asnjë gjyqtar i Republikës nuk duhet të ndihet borxhli ndaj një institucioni apo një pushteti sepse merr atë, që Kushtetuta dhe ligji i njohin. Detyrimin tonë e kemi vetëm ndaj Kushtetutës, ligjit, ndërgjegjes profesionale dhe qytetarëve të këtij vendi: t’u japim drejtësi të pavarur dhe të paanshme.
Kjo marrëdhënie përgjegjësie është e ndërsjellë. Gjyqtari ka detyrime ndaj shtetit dhe qytetarëve, por edhe shteti ka detyrime ndaj njerëzve që i shërbejnë atij. Gjyqtarëve që punojnë nën presion të jashtëzakonshëm dhe punonjësve që prej vitesh mbajnë mbi supe një sistem me vështirësi të mëdha, shteti u detyrohet respekt. Jo privilegj, respekt dhe përmbushje të detyrimeve ligjore.
Në këtë pikë ne gjyqtarët duhet të qëndrojmë së bashku. Të ruajmë besimin, qetësinë dhe dinjitetin e funksionit. Pavarësia jonë nuk matet vetëm kur marrim vendime të vështira, por matet edhe në mënyrën si reagojmë kur vetë institucioni vihet në vështirësi. Përgjigjja jonë duhet të jetë e përbashkët, e vendosur dhe kushtetuese.
Kjo do të thotë të qëndrojmë brenda rolit tonë dhe të përdorim forcën, që na jep ligji. Gjyqësori nuk u përgjigjet qëndrimeve politike me mjete politike dhe as del jashtë funksionit të tij për ta mbrojtur atë. Ai vepron me autoritetin e Kushtetutës dhe me forcën e ligjit. Mjetet juridike ekzistojnë dhe duhet të përdoren me qetësi, përgjegjësi dhe vendosmëri. Çdo veprim administrativ mund t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor dhe, aty ku faktet e dokumentacioni ngrenë çështje të tjera përgjegjësie juridike, vlerësimi u takon organeve kompetente, sipas ligjit. Ky nuk është përshkallëzim i konfliktit, por është kthim i çështjes në territorin e vetëm, ku gjyqësori duhet të veprojë, në territorin e ligjit.
Thesari, në përmbushje të funksionit të tij ligjor dhe mbi bazën e akteve të rregullta të institucioneve përgjegjëse, duhet të mundësojë ekzekutimin e detyrimeve financiare. Procedurat e ekzekutimit buxhetor nuk mund të përdoren si mekanizëm për pezullimin ose neutralizimin e efekteve të një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Edhe nëse ekziston debat për teknikën juridike të ekzekutimit të pagës pas datës 31 korrik 2026, një gjë nuk mund të vihet në diskutim. Kjo datë nuk është kufiri fundor i efekteve financiare të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Paragrafi 110, i lexuar së bashku me dispozitivin e vendimit, përcakton detyrimet financiare të prapambetura nga data 1 prill 2023 deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri. Meqenëse ndryshimet ligjore nuk u miratuan deri më 31 korrik 2026, vetë Gjykata ka përcaktuar formulën sipas së cilës llogariten këto detyrime.
Për rrjedhojë, periudha nga data 1 gusht 2026 deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri nuk është një “periudhë tjetër” e shkëputur nga efektet e vendimit kushtetues. Çdo diferencë që lind gjatë kësaj periudhe i shtohet detyrimit financiar të shtetit. Rregullimi i ri ligjor nuk mund të përdoret për të zvogëluar ose neutralizuar të drejtat financiare që kanë lindur deri në atë çast nga vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese. Këto detyrime kërkojnë ekzekutim.
Prandaj, qëndrimi ynë nuk synon përplasjen, por zgjidhjen: zhbllokimin e menjëhershëm të pagave të administratës gjyqësore, ekzekutimin e detyrimeve financiare të prapambetura, duke përfshirë diferencat që lindin deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri dhe zgjidhjen e çdo çështjeje tjetër vetëm përmes mjeteve që parashikojnë Kushtetuta dhe ligji.
Kërkojmë, mbi të gjitha, respektimin e vendimeve të institucioneve kushtetuese dhe rikthimin e dialogut ndërmjet pushteteve aty, ku e kërkon rendi kushtetues: te respekti reciprok për kompetencat, institucionet dhe vendimet e tyre. Nga një konflikt ndërmjet institucioneve të shtetit nuk fiton askush, as gjyqësori, as ekzekutivi, as politika. Humbet qytetari, humbet drejtësia dhe, në fund, humbet vetë shteti.
Mos e reduktojmë, pra, këtë çështje në një “përplasje për pagat”. Gjyqësori nuk po negocion me Qeverinë çmimin e pavarësisë së vet dhe as po kërkon njohjen e një të drejte të pakonfirmuar. Po kërkon zbatimin e rendit juridik ekzistues. Kur një pushtet kërkon respektimin e Kushtetutës dhe të një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, ai nuk krijon konflikt, por përmbush përgjegjësinë e vet kushtetuese. Kushtetuta nuk negociohet. Vendimi përfundimtar nuk negociohet. Ai zbatohet.
Kjo Mbledhje e Përgjithshme duhet të japë sot një mesazh të qartë: jo zemërim, jo privilegj, jo përplasje, por dinjitet kushtetues, unitet dhe përgjegjësi institucionale. Ne do të vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë, të gjykojmë, t’u shërbejmë qytetarëve dhe të mbrojmë Kushtetutën e ligjin. Qytetarët duhet të kenë një siguri: pavarësisht kësaj situate, gjykatat do të vazhdojnë të bëjnë detyrën e tyre dhe asnjë mosmarrëveshje institucionale nuk duhet të rëndojë mbi qytetarin që pret drejtësi. Pikërisht sepse do ta bëjmë detyrën tonë, kërkojmë që secili pushtet të bëjë të vetën. As më shumë, as më pak.
Republika nuk funksionon, kur një pushtet kërkon nënshtrimin e tjetrit. Ajo funksionon kur secili ushtron kompetencat e veta, respekton kompetencat e tjetrit dhe të gjithë i nënshtrohen Kushtetutës. Ky është shteti i së drejtës dhe standardi evropian, që duhet të dëshmojmë. Sot nuk po mbrojmë shumën e shkruar në listëpagesën e një gjyqtari. Po mbrojmë një kufi që asnjë pushtet nuk duhet ta kapërcejë: pavarësinë e gjyqësorit dhe autoritetin detyrues të Kushtetutës. Do ta mbrojmë me vendosmëri, pa zhurmë të panevojshme, pa iu shmangur përgjegjësisë dhe pa dalë për asnjë çast nga roli ynë kushtetues, me qetësinë që i takon gjyqtarit dhe me forcën që i jep ligji. Duke mbrojtur pavarësinë e drejtësisë, ne mbrojmë të drejtën e çdo qytetari për të jetuar në një shtet ku çdo pushtet i nënshtrohet Kushtetutës dhe askush nuk qëndron mbi të. (A2 Televizion)