
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar pas publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare, duke vlerësuar se pjesëmarrja më e ulët në votime përbën mesazh politik për pushtetin.
“Qeveria e Albin Kurtit prodhoi zhgënjim të madh te qytetarët dhe kriza të vazhdueshme. Kjo keqqeverisje rezultoi me një protestë zgjedhore, sepse mosdalja në zgjedhje e mbi 200 mijë votuesve tregon zhgënjim të jashtëzakonshëm të qytetarëve. Gara ishte e pabarabartë dhe sikur të mos bënte blerje masive të votës me qindra mijëra premtime ndaj punonjësve shtetërorë, me miliona euro për biletat e diasporës dhe me keqpërdorim të resurseve shtetërore, ky njeri do të pësonte një humbje edhe më të thellë politike”, tha Çitaku, shkruan A2.
Ajo kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje për zhvillimin e një gare të pabarabartë zgjedhore, duke pretenduar se janë keqpërdorur resurset shtetërore dhe janë bërë premtime të shumta për punonjësit publikë dhe diasporën: “Përkundër kësaj gare të pabarabartë, me blerje masive të votave përmes ndihmave dhe keqpërdorimit të resurseve shtetërore, PDK e rikonfirmoi pozicionin e saj përfaqësues me përqindje dhe me numër deputetësh. Është e lehtë të kuptohet se, mes këtyre krizave, ky pushtet i ka lodhur qytetarët dhe kjo mospjesëmarrje është mesazh politik që duhet të merret seriozisht, e posaçërisht nga ky pushtet abuziv. Ne do të presim rezultatet përfundimtare, do të presim numërimin e plotë të votave dhe më pas do t’i bëjmë publike qëndrimet tona. (A2 Televizion)