Veriu e jugu lidhen me një tjetër urë, Kurti në Mitrovicë: Nuk është kundër askujt

Nga Ideal Gola
17 Dhjetor 2025, 22:52 | Politikë

Rreth 4 muaj pas hapjes së urës së re për qarkullimin e automjeteve mbi Ibër, të mërkurën është hapur edhe ura e dytë, ajo për qarkullimin e këmbësorëve.

Të dy urat janë vetëm larg qindra metra nga ura kryesore mbi Ibër, e cila vijon të jetë e mbyllur për qarkullimin e automjeteve dhe nën monitorimin e KFOR-it Italian, shkruan A2.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti mori pjesë në hapjen e urës ndërsa tha se nuk ka hequr dorë nga hapja e urës kryesore.

“Ne në çdo takim vazhdimisht përsërisim qëndrimin tonë që ura mbi Ibër duhet të jetë përherë e hapur. Tash i kemi gjithsej 77 ura mbi lumin Ibër, shumica dërrmuese e tyre janë në Kosovë, por ka të tilla edhe në Mal të Zi e Serbi, e vetmja urë e cila ka persona të uniformuar sipër saj tërë kohën është ajo ura kryesore mbi Ibër”, tha Kurti.

Kurti premtoi se do të vizitonte të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe ato me shumicë serbe të udhëhequra nga Lista Serbe, në rast se do të konfirmohej si kryeministër më 28 dhjetor.

Ai, pasi i kërkoi një gazetereje serbe të mësojë shqip, tha se ura nuk ishte kundër askujt dhe do të shërbejë për të shtuar shkëmbimet mes dy komunave: “Unë shpesh përgjigjem në serbisht dhe nuk do të ishte keq që edhe ju të bëni pyetje në shqip ndonjëherë. Duhet të jemi të barabartë. Unë flas serbisht, pse edhe ju të mos flisni shqip? Kurrë nuk është vonë të mësoni një gjuhë tjetër. […] Kjo urë nuk ka përkatësi etnike. Kjo urë lidh pjesën jugore me atë veriore të të njëjtit qytet. Ne jemi këtu për të bashkuar njerëzit. Që të ketë sa më shumë tregti, kulturë bashkëpunim, arsim në sport etj. Kjo urë nuk është kundër askujt. Kjo urë është për të gjithë”.

Për ndërtimin e këtyre urave, Lista Serbe pati shprehur pakënaqësi dhe kishte organizuar peticion kundër tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos