“Po nuk krijuat Asociacionin, rrezikoni integrimin”, BE paralajmëron Kosovën

Nga Rosalba Bejdo
2 Prill 2024, 15:58 | Politikë

Bashkimi Europian paralajmëron Kosovën të zbatojë urgjentisht detyrimin shumë vjeçar për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në vend, ose në të kundërtën do të përballet me pasoja në rrugën e saj drejt integrimit.

Zëdhënësi Peter Stano theksoi se themelimi i Asociacionit është detyrim për Kosovën dhe kjo është përsëritur disa herë edhe nga liderët europianë.

“Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një kërkesë e bërë prej kohësh dhe një detyrim e palës kosovare që duhet të përmbushet në mënyrë urgjente. Kjo është përsëritur disa herë nga bashkimi europian, në nivelin më të lartë, atë të liderëve europianë. Kështu nëse Kosova nuk tregon rezultate, atëherë kjo nuk do të shihet si një sinjal pozitiv mbi vullnetin për të bërë përpara në rrugën drejt normalizimit që është e lidhur tani me përparimin e Kosovës drejt integrimit në BE.”

Stano theksoi se çështja e themelimit të Asociacionit vazhdimisht diskutohet në takimet me palët. Megjithatë, siç deklaroi, në bisedimet e radhës mes kryenegociatorëve, që do të mbahen në Bruksel më 4 prill, çështja kryesore në tryezë do të jetë gjetja e një zgjidhjeje për dinarin serb, i ndaluar në Kosovë.

“Takimi mes kryenegociatorëve këtë të enjte në Bruksel do të jetë i fokusuar në çështje të tjera, veçanërisht ajo që është diskutuar edhe në takimet e mëhershme lidhur me pasojat e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës mbi dinarin serb. Asociacioni nuk do të jetë çështje kryesore në takim, por sigurisht ajo është gjithmonë e pranishme në çdo takim dhe të gjitha ndërveprimet tona me partnerë tnë Kosovë.”

Në fund të vitit të kaluar, bashkësia ndërkombëtare u paraqiti palëve një draft-statut për Asociacionin. Palët thanë fillimisht se e pranojnë atë në parim, por nuk kanë bërë asnjë hap përpara.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 19 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka pranuar draft-statutin.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos