Hungaria mori presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe në Prishtinë nuk ka entuziazëm për atë se çfarë do të vijojë në gjashtë muajt e ardhshëm.
Aplikimi për anëtarësim i Kosovës vijon të mbetet në sirtarët e BE-së ndërsa objektiv i vendit mbetet marrja e pyetësorit dhe vlerësimi për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Megjithatë, nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, nuk presin ndonjë zhvillim pozitiv.
“Qëndrimet që i ka mbajtur Hungaria kanë qenë jo në mbështetje të Kosovës, por në mbështetje të Serbisë dhe në aspektin e statusit kandidat mund të ndikojë pikërisht kjo marrëdhënie sepse Serbia nuk e njeh Kosovën dhe po kërkon në vazhdimësi të stopohet Kosova në anëtarësime apo avancime të statutit të saj ndërkombëtar, kështu që këtu mund ta pësojmë edhe te statuti i kandidatit për BE”, shprehet Agon Batusha.
Hungaria së fundmi ka qenë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës ndërsa është edhe një nga vendet e cila po kundërshton heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian.
Nga Vetëvendosje thonë se do të vijojnë bashkëpunimin me Ambasadën hungareze në Prishtinë për të bindur se Kosova meriton të avancohet në integrimet evropiane.
“Po shpresojmë që ajo fryma evropiane edhe në Hungari të ringjallet dhe Ballkanit t’i jepet drita e gjelbër për të avancuar tutje, mos të harrojmë se vetëm Kosova nuk e ka statusin e vendit kandidat dhe këtë status e kanë shtete që kanë probleme edhe me definim të territorit të tyre, ka shtete të cilat kanë probleme fondamentale si shtet ndërsa Kosova po stopohet padrejtësisht që ta ketë statusin kandidat për shtet anëtar”, shtoi Batusha.
Hungaria njohu zyrtarisht pavarësinë e Kosovës një muaj pas shpalljes së saj. (A2 Televizion)