Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, do të takohen të martën në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Duke konfirmuar lajmin, zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha se prioritet në takim do të jetë “nisja urgjente e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve“.
“Po, mund të konfirmoj se nesër do të ketë takim të dialogut Beograd-Prishtinë në nivel të kryenegociatorëve, siç njoftoi përfaqësuesi i lartë të mërkurën e kaluar, pas takimeve të nivelit të lartë të presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Kurti. Prioriteti dhe agjenda, në fakt, përcaktohet nga urgjenca më e madhe e fillimit të zbatimit të marrëveshjes në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Peter Stano.
Stano po ashtu tha se detyra që iu dha Bashkimi Evropian si lehtësues është për të punuar për të ndihmuar të dyja palët për të arritur normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
‘Objektivi i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është normalizimi i marrëdhënieve. Pra, kjo është detyra që iu dha BE-së si lehtësues për të punuar për të ndihmuar të dyja palët për të arritur normalizimin e marrëdhënieve. Pra, nuk ka njohje atje, por sigurisht, një pasojë logjike e normalizimit do të ishte njohja, por kjo është diçka shumë përpara në proces. Dhe pesë mosnjohësit në mesin e vendeve anëtare të BE-së do të marrin vendimet e tyre bazuar në atë që ata e shohin si të nevojshme dhe të rëndësishme, por kjo nuk është një çështje që trajtohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, shtoi Stano.
Ndërkohë, javën e kaluar në Bruksel kanë dështuar përpjekjet e Bashkimit Evropian për një takim trepalësh me kryeministrin Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq. Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, fajin e ka hedhur te kryeministri Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga kryeqendra evropiane që të plotësohen tri kushtet e vëna nga ai ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të zhvillohet takim. (A2 Televizion)