I ftuar në emisionin "Off the Record", nga Andrea Danglli, pedagogu Rezart Prifti foli për uljen 20% të akcizës për naftën dhe sesi kjo është një “lëvizje brilante” nga ana e qeverisë, që në realitet nuk përbën një ndihmë të ndjeshme për qytetarin e thjeshtë.
“Kjo puna e 20% të akcizës ka shumë njerëz që keqkuptohen. Kjo është lëvizje PR brilante nga ana e qeverisë. Ka shumë njerëz që keqkuptohen dhe mendojnë se çmimi i naftës do të bjerë me 20%. Nuk do të ulet akciza me 20%. Nëse akciza është 20 lekë, pra 20% i bie të jetë 4 lekë".
"Ulja e çmimit të naftës me 4 lekë, kur ajo ka kaluar sipas kushtit që aktivizohet ky efekt, është 220 lekë, 4 lekë është hiçmosgjë. Efekti është thuajse nul. Nga lëvizja e PR është spektakel. 20% e akcizës, njerëzit mendojnë se është 20% e naftës, por nuk është 20% e naftës”, tha Prifti.
Ai theksoi se kjo ulje nuk përbën një ndihmë reale për qytetarët dhe se efekti ekonomik i saj është minimal, ndërsa paraqitet si një masë e rëndësishme.
Rezart Prifti e konsideron këtë një shembull të qartë të mënyrës sesi qeveria përdor spektaklin dhe komunikimin publik për të krijuar perceptim pozitiv, pa ofruar përfitime reale për qytetarët e thjeshtë. (A2 Televizion)