
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar në lidhje me stërvitjet e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën, duke i konsideruar ato si shqetësuese.
“Këto provokime në afërsi të brezit kufitar në Karaçevë nga njësia e brigadës 63 e parashutistëve të Serbisë, përmes stërvitjeve me helikopterë H145M dhe kërcënimeve me parashutë disa metra larg kufirit me Republikën e Kosovës, përbëjnë një shfaqje të rrezikshme të agresionit. Kjo shfaqje bëhet edhe më alarmuese kur kujtojmë se e njëjta njësi ka trajnuar dhe mbështetur grupin e kriminelit Milan Radoiçiç, të cilët realizuan sulmin agresor e terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, kur vranë rreshterin policor, Afrim Bunjakun, heroin e Kosovës”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës tha se Serbia po e shfrytëzon momentin për ta sfiduar gatishmërinë e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë dhe në përgjithësi stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
“Institucionet e Kosovës mbeten vigjilente dhe të gatshme për t’u përballur me çdo kërcënim. Por është koha që komuniteti ndërkombëtar të ndëshkoj këtë qasje destabilizuese të Serbisë që kërcënon drejtpërdrejt paqen dhe sigurinë rajonale. Është koha e fundit pra që bota demokratike të dënojë veprimet e tilla të përsëritura të Serbisë dhe të ndërmarrë hapa konkret për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, vijoi ai. (A2 Televizion)