Heqja e masave ndëshkuese për Kosovën nga Bashkimi Europian është mirëpritur në Prishtinë.
Zëvendëskryeministri i parë, dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca tha se presin që kjo të hapë një fazë të re të angazhimit konstruktiv dhe progresit konkret në rrugën e Kosovës drejt BE-së.
Pas masave, shumë projekte në fushën e sundimit të ligjit, në qeverisje të mirë, projekte infrastrukturore e të tjera, u pezulluan, shkruan A2.
Komisioni Europian konfirmoi se tashmë do të lirohen edhe pjesa e mbetur e fondeve, si 74 milionë euro për projekte në kuadër të programeve vjetore IPA 2021 dhe 2022, si dhe 131 milionë euro për projekte në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Njomza Arifi, nga Grupi për Studime Juridike, u shpreh: “Kosova ka qenë e kufizuar në përfitime në fondes e BE për një kohë shumë të gjatë dhe lirimi i masave ka filluar vetëm në dhjetor të vitit të kaluar me 216 milionë euro dhe pastaj me pjesën tjetër të mbetur prej 205 milionë eurosh që pritet të lirohen me konfirmimin e këtij vendimi, pra po flasim për një shumë të konsiderueshme parash të cilat natyrisht dedikohen për projekte të cilat ndërlidhen direkt me jetën e qytetarëve”.
Përpos masave financiare, Kosova kishte edhe masa politike, pasi u pezulluan edhe takimet e nënkomiteteve të MSA-së dhe takimet e nivelit të lartë.
Në këndvështrimin politik, heqja e masave kërkohet të lexohet drejtë dhe si një nxitje për të dëshmuar edhe më shumë përkushtim në reformat që ndërlidhen me procesin integrues të Kosovës.
“Edhe në planin politik është shumë e rëndësishme që Kosova të ketë një dialog të rregullt me Bashkimin Europian, sidomos me nënkomitetet e MSA-së, por edhe takimet e nivelit të lartë sikurse çdo shtet i Ballkanit Pernëdimor, sidomos si një shtet që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian, prandaj është një momentum për një riformatim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Bashkimit Europian”, deklaroi Arifi.
Përpos kërkesave të tjera në drejtim të Prishtinës zyrtare nga ana e Bashkimit Europian për heqjen e masave ndëshkuese, ndikim duket se ka pasur edhe lehtësirat dhe kompromiset që Qeveria e Kosovës i bëri në raport me komunitetin serb për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe atë për Automjete
“Le të themi kjo marrëveshje detyrimisht ka ndikuar që të ketë një lajm pozitiv edhe për masat por edhe për një rrugë tutje se si të zhviillohet dialogu me Serbinë dhe shumë procese të tjera të cilat kanë mbetur pezull”, shprehet Arifi.
Masat ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës erdhën pas tensioneve në katër komunat veriore në maj të vitit 2023. (A2 Televizion)