Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë do të mbajnë mbledhje të përbashkët të premten e 20 dhjetorit në Prishtinë. Në seancën që do të nis në ora 11:00 në sallën e Parlamentit të Kosovës janë paraparë edhe adresimet e kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama.
Seanca do të nis me fjalën e kryetarëve të dy Kuvendeve, Glauk Konjufca dhe Elisa Spiropali. Ndërsa do të kenë adresimet e tyre edhe kryetarët e grupeve parlamentare. Nga Shqipëria do të marrin pjesë 60 deputetë, ndërsa numri i deputetëve kosovarë ende nuk është përcaktuar.
Nga mbledhja e parë në nëntor të vitit 2022 e deri te kjo e dyta në dhjetor 2024, për Lëvizjen Vetëvendosje ka pasur intensifikim të bashkëpunimit mes komisioneve parlamentare.
“Ka pasur një dinamikë si asnjëherë më parë të punës së komisioneve të përbashkëta të kuvendeve të dy vendeve gjithashtu ka pasur një dinamikë të projekteve ndërsa besoj që mandati i ardhshëm i dy qeverive të reja edhe në Kosovë dhe në Republikën e Shqipërisë, gjegjësisht të legjislaturës së nëntë në Kosovë dhe të rejes në Shqipëri do të ndërlidhet drejtpërdrejt me projekte madhore infrastrukturore”, tha Mimoza Kusari – Lila, shefe e grupit të LVV.
Duke përmendur projektin hekurudhor Prishtinë – Durrës si më të madhin me të cilën do të angazhohen të dy vendet, Kosova synon të intensifikojë bashkëpunimin dhe të nxjerrë mësime edhe nga procesi i anëtarësimi të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Angazhimet e përbashkëta në të cilat Shqipëria është shumë më e avancuar tashmë me statusin e vendit kandiat në Bashkimin Europian. Ata vetëm kanë filluar me vlerësimin në komisione të agjendës legjislative dhe të vlerësimit në raport me agjendën europaine besoj se ne në atë frymë mund ta intensifikojmë bashkëpunimin por është një mundësi e mirë që në përmbyllje të këtij mandati të reflektojmë për prioritetet e mandatit të radhës në të dy Kuvendet”, tha Lila.
Seanca e përbashkët e së premtes pritet të jetë e fundit për legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës, pasi deputetët shkojnë në pushim dimëror dhe më pas janë edhe zgjedhjet e reja parlamentare. (A2 Televizion)
Rama e Kurti në seancën e përbashkët të dy kuvendeve Shqipëri-Kosovë
