Kurti nuk shkon në prokurori, kryeministri gjendet jashtë vendit, do caktohet datë tjetër

Nga Ideal Gola
16 Dhjetor 2024, 10:13 | Politikë

Kryeministri Albin Kurti nuk është paraqitur për të dhënë dëshmi pranë Prokurorisë Speciale, duke arsyetuar se ndodhet në një udhëtim zyrtar. Kurti qëndroi gjatë fundjavës në Slloveni, ku zhvilloi një takim me zëvendëskryeministrin slloven, Luka Mesec, si dhe pati një takim me bashkatdhetarë.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se arsyetimi i kryeministrit është i vlefshëm dhe se do të caktohet një datë tjetër për intervistim.

Liridonë Kozmaqi, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale, deklaroi: “Prokuroria Speciale, përmes thirrjes së rregullt, e ka ftuar kryeministrin Albin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal që kjo prokurori e ka në hetim. Sot, nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se kryeministri Kurti ndodhet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet. Prokuroria Speciale, konform legjislacionit në fuqi, do ta përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti, për një datë tjetër.”

Nga Zyra e Kryeministrit u bë e ditur për A2 CNN se agjenda e Kurtit ishte e konfirmuar më herët, por se kryeministri është i gatshëm të presë prokurorët në zyrë.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë, tha: “Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij, në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët, për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë.”

Kryeministri Kurti është ftuar për të dëshmuar në lidhje me rastin e rezervave shtetërore. Në gusht të vitit të kaluar, ishte raportuar se, pavarësisht pagesave, nuk kishin mbërritur sasi të vajit dhe grurit.

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka mohuar akuzat, ndërsa kryeministri Kurti ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për rast korrupsioni. Në lidhje me këtë rast, ishin arrestuar tre persona, përfshirë edhe punonjës të MINT-it, të cilët më pas u liruan. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos