Boçi: Erion Veliaj t’i nënshtrohet ligjit, por të mos dhunohet drejtësia

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2026, 21:17 | Politikë

Deputeti i PD-së Luçiano Boçi thekson se selia blu nuk është në mbrojtje të Erion Veliajt, ku kryebashkiaku ka mbi supe dyshimet për afera korruptive, por thekson se ai duhet t’i nënshtrohet vetëm ligjit dhe të mos dhunohet drejtësia.  

I ftuar në emisonin “Off the Record”, Boçi tha se me përplasjen e fundit Rama-Veliaj, me mesazhin e përcjellë nga ministri i Drejtësisë, shkohet përtej luftës së brendshme politike, pasi sipas tij kemi një kërcënim me jetë.

“Nuk jemi këtu për të mbrojtur z.Veliaj. PD është shumë e qartë, në akuzat e saj, në përcaktimet e saj, është njeri i cili ka mbi supe afera korruptive, jo vetëm ato që ka formuluar SPAK-u, edhe ato që lidhen me 5D-në, me inceneratorët, dhe patjetër që duhet t’i nënshtrohet ligjit dhe drejtësisë, por në rastin konkret ne nuk po flasim për forcë ligji e drejtësie, por po flasim për kapërcim drejtësie, për dhunim të drejtësisë në një formë krejt absurde, jo thjesht si një luftë e brendshme, sepse prapë e ulim përcaktimin e rëndesës së ngjarjes. Kjo ka të bëjë me kërcënim për jetën, dhe duhet të tregojmë një lloj ndjeshmërie. Po është i korruptuar vitet e burgut ia përcakton ligji, s’është ministri i Drejtësisë që i thotë ‘do dënohesh dhe do kalbesh në burg’. Se krijohet një qasje e gabuar në opinionin publik që PD është në mbrojtje të Veliajt. Jo, fare, PD është në mbrojtje të parimeve, ligjeve dhe pse jo të moralit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos