Albin Kurti hodhi poshtë pretendimet se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka bërë çmos që ai të mos fitonte zgjedhjet e 28 dhjetorit. I pyetur lidhur me këtë çështje në konferencën e parë për mediat pas shpalljes së rezultatit paraprak, Kurti tha se nuk është në dijeni të këtyre veprimeve.
“Ne bashkëpunojmë me Republikën e Shqipërisë, me cilëndo qeveri që është aty, kemi 58 marrëveshje me Kryeministrin Rama. Unë nuk jam në dijeni të atyre akuzave që thatë ju, por jemi të interesuar që afrimi me Shqipërinë të rritet gjithnjë e më shumë. Kemi abetaren e unifikuar nga viti 2021 e këtej, kemi kurrikulat e unifikuara për bashkatdhetarët tanë në botë dhe e kemi Shqipërinë partnerin kryesor tregtar në rajon”, u shpreh Kurti, përcjell A2 CNN.
Fitoren në zgjedhje, Kurti e quajti më të madhen në historinë e vendit. “Tani na presin shumë punë përpara. Rezultati i sotëm tregon se duhet të ecim para pa vonesa. Sa më parë të certifikohet rezultati aq më shpejt do të vijojmë me projektet”, tha ai.
“Ftoj nga tani partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, për ligjet e mira dhe për interesin publik të qytetarëve të Republikës. Edhe një herë urime, secilit pa dallim, fitoren historike, që është në rrugë të mbarë të tejkalojë edhe 14 shkurtin 2021. Ishte një ditë e gjatë përveçse e bukur dhe e rëndësishme”, shtoi ai.
Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 49,79% të votave në zgjedhjet e parakohshme të Kosovës, të zhvilluara këtë të diel. Rezultati paraprak i publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e nxjerr partinë e Albin Kurtit forcë të parë, ndjekur nga PDK 21,19%, LDK me 13,77% dhe AAK me 5,74%. (A2 Televizion)