Partitë dhe koalicionet që do të garojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit publikuan listat e tyre me kandidatë për deputetë.
Lëvizja Vetëvendosje solli pak risi në listën e saj në krahasim me ato të muajit shkurt. Ndryshimi më i rëndësishëm ishte përfshirja e Andin Hotit, i biri i veprimtarit Ukshin Hoti. Ndryshimet më të mëdha erdhën tek Partia Demokratike e Kosovës që ka përfshirë në listë 50 kandidatë që hyjnë në garë për herë të parë.
Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ndryshime pati vetëm ne renditjen e numrave, duke e përfshirë në dhjetëshën e parë edhe të birin e presidentit Ibrahim Rugova, Ukën. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka përfshirë në listën e saj edhe ish-kryeministrin Agim Çeku, shkruan A2.
Ndryshe nga gara e shkurtit, partitë opozitare nuk i kanë përfshirë në lista kryetarët e komunave.
Subjektet e certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet e këtij muaji, gjithsej 24, kanë pasur dy javë kohë për të dorëzuar listat me kandidatët për deputetë. Përkundër kësaj kohe, ata kanë zgjedhur vetëm ditën e diel për të dorëzuar listat me gjithsej 1181 kandidatë të cilët do të garojnë për 120 vende në Parlamentin e Kosovës.
Të gjithë kandidatët për deputetë do t’i nënshtrohen filtrave në përputhje me Ligjin për Zgjedhje.
Valmir Elezi i KQZ u shpreh: “Në përmbushje të detyrimeve ligjore lidhur me përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje, KQZ do të bashkëpunojë me disa institucione tek të cialt do të dërgojë emrat e këtyre kandidatëve për të parë e verifikaur nëse janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”.
Sipas nenit 30 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet nëse bie në kategoritë e ndaluara nga ligji, përfshirë mbajtjen e funksioneve të veçanta publike, pozitat diplomatike, anëtarësinë në organet zgjedhore apo mosrespektimin e vendimeve të PZAP-it dhe KQZ-së. Kufizimi më i rëndësishëm është ai që ndalon kandidimin e çdo personi që në tre vitet e fundit ka një dënim gjyqësor të formës së prerë.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të dërkojë emrat e kandidatëve të cilët subjektet politike kanë kërkuar ceritifikim për pjesëmarrje në këto zgjedhje. Në nenin 30 të Ligjit për zgjedhje të përgjithshme, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”, u shpreh Elezi.
Të hënën, KQZ mori vendim për miratimin e dizajnit dhe përmbajtjes së fletëvotimit që do të përdoret në në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Fletëvotimi do të jetë në dy gjuhë, shqip dhe serbisht, por përfaqësuesit turk kërkuan që në disa komuna fletëvotimi të jetë edhe turqisht, për çka paralajmëruan ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. (A2 Televizion)