Serbia mposhtet në NATO, Kosova bëhet anëtare e asociuar e asamblesë parlamentare

Nga Xhevahir Qardaku
27 Maj 2024, 14:21 | Politikë

Në mbledhjen për sesionin pranveror të mbajtur në Sofje, shumica e vendeve kanë votuar pro, 1 shtet ka qenë kundër dhe 14 të tjera kanë abstenuar lidhur me rekomandimin. Kështu Kosovës i avancohet statusi nga vend vëzhgues në anëtare e asociuar. Ky zhvillim është përshëndetur nga liderët dhe politika në Prishtinë.

“NATO është fati ynë dhe kjo lëvizje do të sigurojë që zëri i njerëzve më pro NATO-s në botë të dëgjohet. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona me aleatët tanë që gjithashtu të ecim përpara në rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO.”, tha Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.

Ministri i mbrojtjes, Ejup Maqedonci, shpjegon se çfarë përfiton konkretisht Kosova nga marrja e statutit të anëtarit të asociuar të NATO-s.

“Kosova do të ketë të drejtë propozimi e komentimi të çdo procesi apo dokumenti që trajtohet nga Asambleja e NATO-s. Me këtë vendim Kosova është vetëm një hap larg anëtarësimit me të drejta të plota në asamblenë parlamentare të NATO, gjë që sigurisht se do të ndikoj në stabilitetin e Ballkanit.”, tha Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes i Kosovës.

Avancimi i statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s përbën një fitore të rëndësishme në beteja diplomatike me Serbinë, pasi Beogradi ka tentuar që ta bllokojë këtë proces.

Madje kryeparlamentarja Ana Brnabiç dorëzoi dhe një letër vendeve anëtare për të penguar këtë sukses të Kosovës, por dukshëm ka rezultuar në dështim. Asambleja Parlamentare e NATO-s shërben si organizatë ndërparlamentare konsultuese.

Shërben si një institucion i ndarë dhe i pavarur nga NATO, por që është një lidhje e rëndësishme mes aleancës dhe parlamenteve të vendeve anëtare duke pasur në përbërje 281 delegatë nga 32 shtetet e NATO-s. Përveç tyre, ky mekanizëm ka dhe 10 vende të asociuara, përfshirë Kosovën, Bosnje dhe Hercegovinën si dhe Serbinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos