A po merr fund epoka e Netanjahut? Opozita kërkon aleancën e pamundur për ta larguar nga pushteti

Nga Erjon Dervishi
2 Nëntor 2026, 18:10 | Bota

Rezultatet përfundimtare e kanë lënë Izraelin në një ngërç politik. Blloku i Benjamin Netanyahut siguroi 53 mandate në Knesset, parlamentin me 120 vende, duke humbur shumicën që i nevojitet për të qeverisur. Por as kampi i partive hebraike që kundërshtojnë kryeministrin nuk arriti të marrë shumicën, duke u ndalur në 48 mandate.

Partia Likud e Netanyahut doli me 27 vende. Pas saj, në kampin e kryeministrit, renditen Judaizmi i Bashkuar i Torës dhe Otzma Yehudit me nga shtatë mandate, ndërsa Shas dhe Sionizmi Fetar morën nga gjashtë.

Në kampin kundërshtar, partia Yashar e Gadi Eisenkotit siguroi 21 mandate, e ndjekur nga B’Yachad me 12, Demokratët me tetë dhe Yisrael Beitenu me shtatë.

Pesha vendimtare mund t’u takojë partive arabe, të cilat së bashku kanë 19 vende: Lista e Përbashkët me 11 dhe Ra’am me tetë. Pa një marrëveshje të re mes këtyre forcave, ose pa një rreshtim të ndryshëm politik, asnjëri prej blloqeve nuk mund të arrijë pragun prej 61 mandatesh.

 “Pika kryesore është se në Izrael asnjë parti nuk i fiton realisht zgjedhjet e vetme. Edhe rezultati më i mirë që ka arritur ndonjë parti ka qenë 61 mandate nga 120 vendet e parlamentit. Synimi është të pozicionohesh sa më mirë për të formuar një qeveri koalicioni.

Për momentin, blloku i Netanyahut ka 53 mandate, ai i Eisenkotit 48, ndërsa rreth 18 ose 19 deputetë përfaqësojnë kryesisht popullsinë arabe, qytetarët palestinezë të Izraelit. Tani nis i gjithë pazari politik për formimin e një koalicioni.”

Beteja tani zhvendoset nga kutitë e votimit te negociatat. Rezultatet duhet t’i paraqiten zyrtarisht presidentit Isaac Herzog deri më 4 nëntor, ndërsa parlamenti i ri pritet të bëjë betimin më 10 nëntor. Deri më 11 nëntor, presidenti duhet t’i besojë një deputeti mandatin për formimin e qeverisë.

Kandidati i caktuar do të ketë 28 ditë kohë për të krijuar një koalicion, me mundësi për një zgjatje prej 14 ditësh. Netanyahu dhe Eisenkot janë dy emrat kryesorë që mund të marrin këtë detyrë.

Herzog ka bërë thirrje për zgjidhje kreative dhe ka shprehur dëshirën për të shmangur zgjedhjet e reja. Një prej skenarëve është krijimi i një qeverie të unitetit kombëtar, ku rivalët të detyrohen të bashkëpunojnë. Por ky opsion do të kërkonte kompromise të mëdha politike.

Një rrugë tjetër për të larguar Netanyahun nga pushteti është bashkëpunimi mes opozitës hebraike dhe partive arabe. Deri më tani, Eisenkot dhe drejtues të tjerë të opozitës kanë përjashtuar një partneritet formal me këto parti. Megjithatë, rezultati i zgjedhjeve mund t’i detyrojë të rishikojnë qëndrimin.

Kreu i Ra’am, Mansour Abbas, ka sinjalizuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me kampin kundërshtar të Netanyahut. Edhe përfaqësues të Listës së Përbashkët kanë shprehur mbështetjen për largimin e qeverisë aktuale, duke kërkuar një partneritet të barabartë mes qytetarëve hebrenj dhe arabë.

Partitë arabe mund të mos hyjnë fare në qeveri, por ta mbështesin atë nga jashtë, duke ndihmuar në sigurimin e votave të nevojshme në parlament.

 “Një qeveri mund të formohet nëse siguron mbështetjen e 61 deputetëve, por është i mundur edhe një skenar me qeveri të pakicës, për sa kohë që nuk ka më shumë se 61 deputetë që e kundërshtojnë atë.

Për shembull, kundërshtarët e Netanyahut mund të vendosin të mos formojnë zyrtarisht një koalicion me partitë arabe, por t’i kenë ato si mbështetje nga jashtë. Nëse për ta përparësia kryesore është që Netanyahu të mos rikthehet në pushtet, ky skenar mund të funksionojë.”

Përtej negociatave, këto zgjedhje ishin edhe një provë për të ardhmen politike të Netanyahut. Gjatë mandatit të tij, Izraeli u përfshi në protesta masive kundër reformës në drejtësi, ndërsa sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 tronditi vendin dhe ngriti pikëpyetje të rënda për dështimet e sigurisë.

Për kritikët e kryeministrit, përgjegjësia për atë që ndodhi nuk mund të ndahet nga përgjegjësia politike e qeverisë. Ndërkohë, premtimet për fitore vendimtare në Gaza dhe për eliminimin e kërcënimit iranian nuk i kanë mbyllur konfliktet.

 “Shumë prej nesh e kanë cilësuar këtë si zgjedhjen më të rëndësishme. Mandati i qeverisë nisi me përpjekjet për të cenuar themelet demokratike të vendit, çka nxori qindra mijëra njerëz në rrugë çdo javë, në protesta kundër sulmit ndaj sistemit gjyqësor.

Pastaj erdhi katastrofa e 7 tetorit, sulmi dhe masakra e Hamasit. Përgjegjësia për mbrojtjen e qytetarëve i takon gjithmonë qeverisë. Ushtria mund të ketë përgjegjësitë e veta, por qeveria është në krye të vendit dhe duhet të japë llogari.”

Sfidat e qeverisë së ardhshme nuk përfundojnë me formimin e saj. Lufta në Gaza, tensionet me Iranin, angazhimi i zgjatur i rezervistëve, debati për rekrutimin e të rinjve ultraortodoksë dhe mungesa e një komisioni hetimor shtetëror për dështimet e 7 tetorit janë çështje që kërkojnë zgjidhje.

Disa rezervistë kanë shërbyer më shumë se 500 ditë gjatë tre viteve të fundit, ndërsa përplasjet mbi ndarjen e barrës së shërbimit ushtarak kanë thelluar ndasitë brenda shoqërisë.

 “Pavarësisht premtimeve për fitore absolute në Gaza apo për eliminimin e kërcënimit iranian, të gjitha këto fronte mbeten të hapura. Disa rezervistë kanë shërbyer më shumë se 500 ditë gjatë tre viteve të fundit. Ka edhe çështjen e rekrutimit të të rinjve ultraortodoksë dhe faktin që nuk është ngritur një komision hetimor për atë që ndodhi më 7 tetor.

Lista e problemeve është shumë e gjatë. Por për t’i trajtuar ato, nevojitet një qeveri e qëndrueshme, e aftë dhe që gëzon mbështetjen e Knessetit dhe, rrjedhimisht, të popullit.”

Netanyahu ka humbur shumicën, por ende nuk e ka humbur përfundimisht betejën

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos