Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur keqardhje dhe shqetësim të thellë lidhur me vendimin e Shteteve te Bashkuara për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik.
"Republika e Kosovës është ndërtuar mbi themelet e miqësisë së pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky raport nuk është vetëm diplomatik, por është pjesë ekzistenciale e identitetit tonë shtetëror dhe kombëtar", tha Osmani të premten.
Ajo shtoi se "çështja e aleancës me SHBA-të, është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë. Qytetarët e Kosovës e dinë se liria e tyre u bë realitet edhe me ndihmën vendimtare të SHBA-ve dhe se pa këtë miqësi historike nuk do të kishim arritur kurrë këtu ku jemi sot".
Ambasada amerikane në Prishtinë njoftoi më herët se SHBA-ja e ka pezulluar për kohë të papërcaktuar dialogun e planifikuar strategjik, për shkak se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.
“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, tha ajo. (A2 Televizion)