Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, deklaroi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë, ndryshe nuk përmbushet vizioni që kanë për një Evropë të plotë.
Hovenier u shpreh se duhet që të dy palët të angazhohen sinqerisht në përmbushjen e obiglimeve që kanë marr nga negociatat në Bruksel.
“Kosova duhet së bashku me Serbinë ta shtyjnë përpara agjendën e tyre. Ka një varg zyrtarësh amerikanë që kalojnë shumë kohë për nevojën për zbatimin e plotë nga Kosova e Serbia të obligimeve që i kanë marr përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja. Më lejoni të them se përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë mes dy vendeve sepse diçka më pak se kjo nuk e përmbush këtë vizionin që e kemi për një Evropë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe”.
Ambasadori amerikan shfrytëzoi rastin që edhe një herë të kundërshtojë deklaratën e të ashtuquajturës “Kuvendi gjithëserb” ku për Kosovën thuhet se “është e patjetërsueshme e Serbisë”.
“Ne vetëm mund të shprehim shqetësimin tonë për deklaratat e fundit të një Kuvendi Panserb që thotë se Kosova është njëfarë mënyre pjesë e pandarë e Serbisë... mund të them se ky nuk është qëndrimi i vendit tim apo i partnereve. Kosovën e kemi njohur si vend të pavarur, sovran e demokratik dhe kjo nuk është për debat as nuk duhet të rinegociohet duhet të pranohet e duhet të kremtohet”.
Hovenier këto deklarata i bëri gjatë adresimit të tij në konferencën e Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga “The Economist Group” në Prishtinë. (A2 Televizion)