Diplomati i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, kreu një vizitë të paparalajmëruar në Kosovë, nga ku tha se do të udhëtojë për në kryeqytetin serb, Beograd.
Në vizitën e tij të dytë në Prishtinë, Sorensen u takua me kryenegociatorin e Kosovës për dialogun, Besnik Bislimi. I pyetur rreth vizitës, Sorensen tha shkurtimisht për gazetarë se “jemi duke punuar” dhe se ndodhej në Kosovë ashtu siç ia kërkon detyra si i dërguar i bllokut.
“Është një vizitë normale, siç mund ta shihni. Jam i lumtur që jam këtu dhe tani do të shkoj në Beograd dhe pastaj do të kthehem në Bruksel”, tha ai.
Qeveria në detyrë e Kosovës tha në një njoftim për media se Bislimi dhe Sorensen biseduan rreth zbatimit të marrëveshjeve të ndryshme të nivelit teknik.
"U theksua edhe rëndësia e fillimit të diskutimeve të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit në kuadër të procesit të dialogut", thuhet në njoftim.
Paraprakisht, Sorensen ishte takuar me komandantin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, Enrico Barduani. (A2 Televizion)