Gruaja e Kurtit merr më shumë para se kryeministri, Osmani me shtëpi në Australi, politikanët në Kosovë deklarojnë pasuritë

Nga A2 CNN
23 Prill 2025, 19:06 | Politikë

Gruaja e Kurtit merr më shumë para se kryeministri, Osmani me

Mediat në Kosovë kanë zbardhur formularët e deklarimit të pasurive që politikanët kryesorë të vendit kanë bërë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me bashkëshortin e saj kanë paraqitur një numër të konsiderueshëm të pasurive të patundshme dhe të ardhura financiare.

Sipas deklarimit, çifti zotëron, një banesë të blerë në vlerë 59 mijë eurosh, një shtëpi 170 mijë euro, një sipërfaqe toke 35 mijë euro, një garazh, si dhe dy prona të tjera në Australi, njëra që vlen 190 mijë euro dhe tjetra 510 mijë euro.

Presidentja ka deklaruar gjithashtu një veturë në pronësi të bashkëshortit, me vlerë 10 mijë euro, si dhe dy kredi aktive.

Lidhur me pronën në Australi, ajo ka sqaruar se financimi për këtë blerje ka ardhur nga burime të ndryshme, shitja e një shtëpie më të hershme në Australi që ishte në pronësi të bashkëshortit, trashëgimia nga prindërit e tij, kursime familjare dhe ndihmë financiare nga të afërmit.

Të ardhurat neto vjetore të Presidentes kapin shumën prej 33.104 eurosh, ndërsa nga dietat për udhëtime zyrtare jashtë vendit, ajo ka përfituar mbi 11.500 euro.

Ndërkaq, bashkëshorti i saj ka deklaruar të ardhura vjetore prej 11.068 euro, 12.500 euro nga qiraja e shtëpisë në Australi, si dhe mbi 19 mijë euro të fituara nga një vendim gjyqësor në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti i ka shtuar 250 euro në kursimet e tij krahasuar me një vit më parë, sipas deklarimit të pasurisë të cilin e ka bërë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Kurti i ka deklaruar 1 mijë e 800 euro kursime nga paga, ndërsa në deklarimin e kaluar ka pasur 1 mijë e 550 euro. Sipas deklarimit, Kurti ka pasur të ardhura vjetore 20 mijë e 278.12 euro nga paga neto si kryeministër.

Kurti s’ka deklaruar të ketë përfituar nga dieta nga udhëtimet zyrtare jashtë vendit. Në formularin e pasurisë, Kurti ka shënuar se nuk ka asnjë lloj të ardhure tjetër përpos pagës si kryeministër.

Te pronat e paluajtshme, ai ka deklaruar banesën 67 metra katrorë në emër të bashkëshortes. Sipas tij, vlera e kësaj prone është 400 mijë euro që sipas deklarimit është marrë me kredi që zgjat deri më 2052. Banesa është blerë në vitin 2018.

Paga neto e bashkëshortes së tij e deklaruar është 44 mijë e 100 euro, e punësuar në “NUPI” në Norvegji.

Ai ka deklaruar detyrime me vlerë 250 euro për qiranë e banesës dhe 170 mijë euro të mbetura për ta paguar blerjen e apartamentit në emër të bashkëshortes. Përshtatur nga Telegrafi (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos