
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, paralajmëroi se siguria në vend po sfidohet, dhe se krijimi i xhandarmërisë është një domosdoshmëri. Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ai dha detaje mbi strukturën e re që pritet të themelohet, që, siç pohoi, do të plotësojë boshllëkun mes Policisë së Kosovës dhe ushtrisë.
“Me qëllim të adresimit të sfidave të mëdha dhe rreziqeve jo të vogla, si dhe përballjes me këto, themelimi i xhandarmërisë si strukturë e re, e specializuar, moderne dhe e disiplinuar, është domosdoshmëri e kohës, e cila do të plotësojë boshllëkun ndërmjet Policisë së Kosovës dhe ushtrisë, përkatësisht Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha Kurti, përcjell A2 CNN.
“Xhandarmëria do të ketë mandat të qartë: sigurimin e vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore në tërë territorin e Kosovës, operacione kundër grupeve terroriste dhe grupeve të armatosura, përfshirë ato me karakter paraushtarak, parandalimin dhe luftimin e të gjitha llojeve të kontrabandës ndërkufitare, si me mallra ashtu edhe me emigrantë, menaxhimin e situatave të rrezikut të sigurisë së lartë, si dhe sigurimin e infrastrukturës kritike. Modeli i xhandarmërisë është praktikë e dëshmuar evropiane”, tha ai.
Kurti deklaroi se themelimi dhe funksionalizimi i xhandarmërisë do të bëhet me ligj të veçantë, i cili do të votohet në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e ardhshme.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi se po punohet për krijimin e xhandarmërisë me qëllim forcimin e kontrollit të kufirit, mbrojtjen e integritetit territorial dhe reagimin e shpejtë ndaj kërcënimeve të sigurisë.
“Krijimi i xhandarmërisë ka për qëllim forcimin e kontrollit të vijës kufitare, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe reagimin e shpejtë ndaj kërcënimeve me përmasa të nivelit të lartë. Grupi punues po punon në analizimin e aspekteve ligjore, institucionale, organizative, financiare dhe operacionale të themelimit të xhandarmërisë si agjenci ekzekutive në kuadër të MPB-së, përmes ligjit të veçantë. Themelimi dhe funksionalizimi i xhandarmërisë do t’i mundësojë Policisë së Kosovës që të fokusohet në sigurinë dhe rendin publik, parandalimin dhe hetimin e krimit, sigurinë në komunikacion, si dhe detyrat tjera”, tha ai.
I pyetur rreth zbatueshmërisë së Ligjit për të Huajt, Kurti tha se duan legalizim e jo ndëshkime, dhe se nuk ka normalizim pa sundim të ligjit.
Kurse, ministri në detyrë, Xhelal Sveçla, tha se nga shtetasit serbë që jetojnë e punojnë në Kosovë kanë pranuar qindra aplikime. (A2 Televizion)