
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka vendosur rinumërimin e 914 vendvotimeve në të gjitha komunat e Kosovës.
Burime për A2 CNN bëjnë me dije se ky vendim vjen pas dyshimeve për mospërputhje në numërimin e votave për kandidatë brenda partive politike, në Qendrat Komunale të Numërimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Sipas raportit të paraqitur, Sekretariati i KQZ-së më 10 janar ka shqyrtuar videoincizimet e kamerave të vendosura në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dhe ka evidentuar raste ku votat për kandidatë të numëruara nuk përputhen me ato të shënuara në fletëvotime.
Pas këtyre gjetjeve, është kryer verifikim i brendshëm i fletëvotimeve për kandidatë në 2% të vendvotimeve, gjithsej 52 në të gjitha komunat. Deri më 12 janar janë verifikuar 33 vendvotime dhe në secilin rast është konstatuar se rezultatet e dala nga Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin real të votave për kandidatë në fletëvotime.
Në bazë të këtyre dyshimeve, KQZ ka vendosur rinumërimin e 100% të vendvotimeve në komunat Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug, ndërsa në 28 komuna të tjera do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve.
Rinumërimi do të zhvillohet në Qendrëtn e Numërimit dhe Rezultateve dhe do të nisë sot, në orën 18:00. Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka bërë të ditur se, nëse pas rinumërimit konstatohen manipulime eventuale me votat e kandidatëve brenda subjekteve politike, rastet do të procedohen në organet kompetente ndaj anëtarëve të ekipeve të numërimit. (A2 Televizion)