Panairi i Biznesit në Mostar të Bosnje dhe Hercegovinës bëri bashkë Aleksandër Vuçiç, Milorad Dodik dhe Miroslav Lajçak. Presidenti serb takoi ndërmjetësuesin e Bashkimit Europian për dialogun Prishtinë-Beograd. Vuçiç njofton se me Lajçakun pati një bisedë të hapur dhe konkrete për ato që i konsideroi “sfida që e presin popullin serb, ngjarjet në Kosovë dhe zvogëlimin e hapësirës për zgjidhjen e çështjeve të hapura përmes dialogut konstruktiv dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare.”
“Si partneri ynë afatgjatë, Lajçak e di se Serbia gjithmonë dhe kudo do të luftojë për popullin, vendin dhe të vërtetën e saj. Ne nuk kemi atdhe tjetër, as nuk mund të shkojmë diku tjetër”, tha Vuçiç.
Presidenti serb pretendoi më tej se vendi i tij po bën një politike të përgjegjshme dhe serioze për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, por paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë tërheqje apo kompromis për sigurinë e serbëve dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Si për të treguar afrimitetin e tij me Lajçakun, Vuçiç tentoi dhe të bënte disa shaka, duke marrë shkas edhe nga raportimet se nuk do të jetë më në rolin e ndërmjetësuesit të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd. Presidenti serb “kritikoi” organizatorët duke thënë se nuk kanë ditur ta prezantonin Lajçakun.
“Ata e dinë se diçka është nga Europa, tani çfarë është, as ai vetë nuk e di, por nuk ka rëndësi. Dhe e vure re Miroslav, për ty duartrokitëm vetëm dhjetë vetë, por kur dola unë kishte shumë më shumë. Duhet të Punoni më shumë për imazhin dhe reputacionin e Europës”, theksoi presidenti serb.
Gjatë qëndrimit në Bosnje, Vuçiç ka folur me Dodikun lidhur me rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë që pritet të miratohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Presidenti serb pretendoi se vendi i tij ka vërtetuar para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se nuk është përgjegjës. Kurse Dodiku i sanksionuar, tentoi të minimizonte gjenocidin në Srebrenicë, duke pretenduar se janë vrarë më shumë serbë në Sarajevë dhe se po tentohet të krijohet një mit me Srebrenicën. (A2 Televizion)