Takimi Kurti-Vuçiç, opozita: Dialogu në terr, do diskutohen temat e dëmshme për Kosovën

Nga Ideal Gola
24 Qershor 2024, 20:10 | Politikë

Opozita në Kosovë nuk pret që takimi i së mërkurës mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç të prodhojë ndonjë të re në dialog.

Partia Demokratike vlerëson se aty do të diskutohen sërish çështjet e dëmshme për vendin e që janë vetëmenaxhimi i komunitetit serb dhe dërgimi i draft statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

“Tash e dy vite e gjysmë produktet e kryeministrit Kurti në dialog i kemi pa është vetëmenaxhimi, marrëveshja e Brukselit e vitit 2022 dhe aneksi i Ohrit që janë jashtëzakonisht të dëmshme, është draft statuti i cili tash është në tavolinën e kryeministrit të Kosovës dhe nga bashkësia ndërkombëtare i kërkohet ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese”, tha Abelard Tahiri, Shef i GP të PDK.

Lidhja Demokratike ka kërkuar nga Kurti që të jetë më i përgjegjshëm pasi dialogu nën drejtimin e tij ka qenë një proces ku ka munguar transparenca.

“Ka vend për shqetësim sepse gjithë ky proces i përcjellë me mos transparencë dhe ikje nga përgjegjësia para të zgjedhurve të popullit ku ekziston një rezolutë në fuqi që Qeveria duhet të raportojë para dhe pas çdo raundi të bisedimeve është tregues i qartë në atë që kemi pas vërejtje në vazhdimësi”, Armend Zemaj, deputet i LDK.

Për Lëvizjen Vetëvendosje takimi i Brukselit është mundësia për të vendosur nëse ka marrëveshje mes palëve për normalizim ose jo për shkak të shkeljeve që Beogradi i ka bërë marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

 “E para është përpjekja të izolohet Kosova në prezencën e saj në arenën ndërkombëtare në kundërshtim me zotimet e asaj marrëveshje. E dyta është ndërhyrja në punët e brendshme të Kosovës që nga kontrolli i Listës Serbe, bojkoti i zgjedhjeve dhe e treta ishte Banjska. Unë mendoj që kemi një rast të agresionit të hapur ndaj Kosovës dhe e katërta ishte kur ata formalisht u tërhoqën në dhjetor”, tha Armend Muja, deputet i LVV.

Kurti dhe Vuçiç do të takohen për herë të parë që pas agresionit në Banjskë në shtator të vitit 2023. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos