“BE-ja nuk ka kompetencë me i propozu asociacion Kosovës”.
Kështu, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, bën të qartë se vetëm Kosova ka të drejtë që të ndërtojë një draft-statut për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Reagimi i tij erdhi pas thirrjes së ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, që Kosovë ta dërgojë draftin europian në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim. Konjufca tha se e kishte kuptuar ndryshe thirrjen e diplomatit të SHBA-ve dhe jo siç është raportuar në media: “Ndoshta, zotëri Hovenier e ka pasur fjalën që Kosova të propozojë një draft të Asociacionit. Kjo është një temë tjetër. Unë nuk e kam kuptuar ashtu siç e paske kuptuar ti. Unë e kam kuptuar që Kosova me iu drejtu Gjykatës Kushtetuese me një draft, por unë nuk mendoj se është kompetencë e BE-së, me i propozu draft Kosovës dhe Kosova me qëndru gatitu dhe dërgu draftin që BE-ja e propozon”.
Konjufca shtoi se reagimi amerikan erdhi më shumë për shkak të vendimit për dinarin, çështje të cilën tha se mund të zgjidhet shumë lehtë. Kryeparlamentari përshëndeti rezolutën e Parlamentit Europian, në të cilën kërkohet një qasje e re në dialogun Prishtinë-Beograd dhe heqjen e masave ndaj Kosovës, veçanërisht pas sulmit të Banjskës.
“Ndërkombëtarët disa e thonë, disa nuk e thonë, disa e thonë në përshpirtje, por kjo duhet të thuhet në raporte të cilat publikohen dhe mbajnë përgjegjëse Serbinë për këtë sulm. Tash kur mendohet e gjithë kjo unë nuk mund të kuptoj sesi Kosovës ende i vazhdohen masat të vendosura nga BE-ja”, deklaroi Konjufca.
Konjufca ndër të tjera, nënvizon se qeveria e Kosovës pret nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë, rrjedhimisht sigurinë se Serbia do t’i respektojë të gjitha pikat e marrëveshjes. (A2 Televizion)