
Administrata e Presidentit Donald Trump po përshkruhet si një faktor kyç në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Presidentja Vjosa Osmani, përmes një interviste në median Bloomberg, thotë se “që në fillim të mandatit, Trump ka shfaqur interes të veçantë për Ballkanin Perëndimor, duke u angazhuar personalisht në ruajtjen e paqes dhe ndalimin e çdo përshkallëzimi të sigurisë në rajon”. Prania e trupave amerikane në Kosovë vlerësohet si masa më e fortë parandaluese ndaj tensioneve, ndërsa Kosova cilësohet si kontribuese e drejtpërdrejtë e stabilitetit rajonal, shkruan A2.
“Presidenti Trump ka qenë dhe mbetet i përfshirë personalisht në garantimin e paqes në Ballkanin Perëndimor. Prania e trupave amerikane në Kosovë është garancia më e madhe kundër çdo përshkallëzimi të mundshëm”, tha Osmani.
Më tej, shton se Kosova cilësohet si një histori suksesi e politikës së jashtme amerikane, me mbështetje dypartiake ndër vite. Presidentja nënvizon se pavarësisht numrit relativisht të vogël të trupave amerikane në terren, ndikimi i SHBA-së mbetet vendimtar dhe nuk priten ndryshime në angazhimin ushtarak.
Ndërkohë, pengesa kryesore për paqen me Serbinë shihet te lidershipi aktual në Beograd, i cili, sipas zonjës Osmani, mban ende një mentalitet të së kaluarës: “Amerika ka pak trupa në Kosovë, por ndikimi i saj është jashtëzakonisht i madh. Kosova është një histori suksesi amerikan dhe nuk presim asnjë tërheqje apo dobësim të këtij angazhimi.”
Në planin e brendshëm politik, Presidentja Vjosa Osmani ka vënë në dukje një gjuhë më të përmbajtur mes forcave politike para zgjedhjeve dhe një gatishmëri më të madhe për bashkëpunim. Sa i përket një rikandidimi të mundshëm për një mandat të dytë, Osmani ka theksuar se do të presë fillimisht konstituimin e parlamentit të ri. (A2 Televizion)