
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në diskutimet që ka pasur sot në Bruksel ka parë "elemente pozitive" sa i përket heqjes së plotë të masave ndëshkuese, që Bashkimi Evropian vendosi ndaj vendit më 2023.
"Jemi sërish këtu si partner të përkushtuar të BE-së, si shtet që jemi me linjëzim 100 për qind me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si shtet që vazhdimisht ka treguar progres dhe përkushtim të lartë për reforma, qofshin ato në sundimin e ligjit, në ekonomi apo tjera. Fatkeqësisht nuk i kemi parë që këto reforma janë përkthyer edhe në progres shumë të prekshëm sa i përket integrimit evropian të Kosovës meqë procesi është shumë kompleks", tha Osmani për mediat para nisjes së samitit BE-Ballkani Perëndimor.
"Megjithatë është lajm i mirë që kemi heqje të pjesshme të masave. Do të punojmë me partnerët tanë që shumë shpejt të bëhet heqja e plotë e tyre dhe kemi, do të thosha, elemente pozitive në diskutimet që kisha sot ditës dhe shpresoj shumë që të kemi heqje të plotë të masave sa më shpejt", shtoi ajo.
Osmani gjatë ditës është takuar me zyrtarë të lartë të bllokut evropianë, me të cilët ka diskutuar për masat ndëshkuese, por edhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Pas një takimi me shefen e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, Osmani tha se është e domosdoshme heqja e plotë e masave, "meqë të gjitha kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian tanimë janë plotësuar".
Të njëjtën kërkesë e pati edhe gjatë takimit me presidentin e Këshillit të BE-së, Antonio Costa, në Bruksel, në prag të samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Një ditë më parë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se është njoftuar nga Komisioni Evropian se ky institucion “ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës".
Sipas Bislimit bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë eurosh.
“Mirëpresim vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave, përderisa shpresojmë e punojmë që, sa më parë, ato të hiqen në tërësi. Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitet, bashkëpunim e përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian”, shkroi Osmani në Facebook.
Sipas presidentes së Kosovës, vendi ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga blloku evropian, prandaj “nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e masave të tjera të mbetura”.
BE-ja kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.
Blloku evropian ka nisur heqjen graduale të tyre, por zyrtarët në Kosovë insistojnë se vazhdimi i tyre është vendim i padrejtë dhe kushtet janë plotësuar, dhe Osmani vazhdimisht ka bërë thirrje për heqjen e tyre.
Situata në veri është shtensionuar, prania e Policisë afër objekteve komunale në veri është zvogëluar dhe kalimi paqësor i pushtetit në komunat me shumicë serbe është realizuar.
Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën i Radios Evropa e Lirë (REL), në Pragë, ka marrë vesh nga burimet e tij se për çështjen e moslargimit të të gjitha masave kundër Kosovës është diskutuar në Bruksel javën e kaluar dhe që Franca e Italia janë mbështetëse të idesë që të largohen vetëm 50 për qind e tyre.
Osmani po qëndron në Bruksel ku merr pjesë në samitin mes udhëheqësve të BE-së dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Draft-deklarata e samitit, që e ka parë Radio Evropa e Lirë, që më pas do të miratohet nga udhëheqësit e BE-së, pohon se “e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në bllokun tonë. Zgjerimi është një mundësi reale që duhet shfrytëzuar”.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë përparuar më së shumti në rrugën evropiane, teksa Kosova mbetet vendi i vetëm që ende nuk ka statusin e vendit kandidat.
Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, ky aplikim ende nuk ka kaluar as në fazën e parë formale, atë të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimit për opinion në Komisionin Evropian.
Po ashtu, në draft-deklaratën e samitit, përmendet edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.
Aty thuhet se “mungesa e normalizimit të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit po mban të dy shtetet të bllokuara në rrugën evropiane”.
“Të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja duhet të zbatohen, veçmas Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe aneksi i saj. Mbështetja nën Reformën për Ballkanin Perëndimor dhe Rritjen është e kushtëzuar me angazhimin konstruktiv të partnerëve dhe përparimin e matshëm dhe rezultate konkrete në normalizimin e raporteve të tyre”, thuhet në dokument.
Që nga shtatori i vitit 2023, disa ditë para sulmit të armatosur në Banjskë, nuk është mbajtur asnjë rund i nivelit të lartë në Bruksel. Marrëveshja që përmendet në draft-deklaratë është arritur më 2023, pavarësisht se palët nuk e kanë nënshkruar atë. BE-ja e vlerëson se marrëveshja është e detyrueshme për Beogradin dhe Prishtinën dhe vazhdimisht kërkon zbatimin e saj dhe të aneksit.
Kjo marrëveshje, me 11 nene, veç tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut./ REL (A2 Televizion)