Zgjedhja e Presidentit, Kurti: Shkurti vendimtar për raportet me opozitën

Nga Ideal Gola
30 Janar 2026, 19:26 | Politikë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është treguar sërish i hapur për bashkëpunim me opozitën për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe zgjedhjen e Presidentit të ri.

Sa i përket zgjedhjes së Presidentit, Kurti konfirmoi komunikimin me Presidenten Vjosa Osmani, por sqaroi se ky proces vjen vetëm pas përmbushjes së disa hapave institucionalë.

Ai përmendi certifikimin e rezultatit, formimin e institucioneve të reja dhe kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare para se të fillojnë të merren me çështjen e Presidentit, shkruan A2.

“Për formimin e qeverisë nuk do të kemi asnjë problem, por për dy të tretat e votave kur nevojiten në Kuvend, prej marrëveshjeve ndërkombëtare e deri te rizgjedhja e presidentes apo zgjedhja e presidentit, ne kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën. Por, nga ana jonë gatishmëria dhe interesimi ekziston. Në muajin shkurt do ta shohim se a ka gatishmëri e interesim edhe nga opozita”, tha Kurti.

Para gazetarëve të premten, Kurti u pyet edhe për pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes. Ai nuk u tregua i drejtpërdrejtë, por foli për gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në ruajtjen e paqes: “Unë jam kryeministër në detyrë, nuk jam ende në mandatin tim të tretë, por kudo që ka nevojë për paqe në botë, ne dëshirojmë që të kontribuojmë, sepse kemi qenë përfitues të paqes në vendin tonë nëpërmjet forcave ndërkombëtare”.

Sa i përket dyshimeve për manipulim votash nga kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti tha se fillimisht do të priten hetimet e sistemit të drejtësisë, ndërsa më pas çështja do të trajtohet në organet e partisë.

“Ekzistojnë proceset e sistemit të drejtësisë dhe ne jemi të hapur për të gjitha hetimet që do të zhvillohen. Është e rëndësishme të theksohet që nuk ka amnisti për asnjë keqbërës, për këdo i cili ka manipuluar gjatë evidentimit apo numërimit dhe hetimet le të shkojnë deri në fund”, tha Kurti.

Lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e Nenad Rashiq nënkryetar të Kuvendit, Kurti tha se ende nuk e ka arsyetimin e plotë dhe për këtë arsye nuk mund të japë qëndrim përfundimtar.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos