
Kongresisti republikan Mike Turner dhe ai demokrat Donald Norcross, kanë zhvilluar takime të ndara me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, me të cilët kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes dy vende në fusha të ndryshme.
Osmani, gjatë një prononcimi për media më 24 nëntor, tha se të dy kongresistët për një kohë të gjatë e kanë mbështetur Kosovën.
“Si kontribuues të paqes në rajon e kanë këtë vizitë ku përfshihet pothuajse i gjithë rajoni për të parë se si mund ta vazhdojmë bashkëpunimin në favor të paqes dhe stabilitetit. Prandaj, këto kanë qenë çështjet që kemi diskutuar, bashkëpunimi bilateral mes Kosovës dhe SHBA-së, zhvillimet në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes, përafrimi ynë me NATO-n, sfidat e sigurisë me të cilat po përballemi dhe mënyrën se si mund të koordinohemi edhe më shumë me SHBA-në në mënyrë që të kemi integrim sa më të suksesshëm të komunitetit serb brenda Kosovës”, tha ajo.
Osmani u pyet të komentonte një deklaratë të bërë për mediat lokale në Kosovë nga ish i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Philip Reeker, i cili kërkoi që vendi të ketë një Qeveri bashkëpunuese me SHBA-në.
“Në Kosovë nuk ka pasur e as nuk do të ketë asnjëherë Qeveri antiamerikane”, tha Osmani, duke theksuar se Kosova ka popullin më promamerikan në botë dhe “secila Qeveri e Kosovës vjen nga po ky popull”.
“Pra, nuk mund të ketë dallime mes popullit që krijon Qeverinë dhe Qeverisë, përderisa secila Qeveri i ka metodat e veta, strategjitë, mënyrën se si punon me partnerët dhe për atë se si kanë punuar si do të punojnë në të ardhmen unë ju sugjeroj që t’i adresoni pyetjet në Qeveri”, theksoi Osmani.
Ajo shtoi se e sheh SHBA-në si partnere partnere ekzistenciale në zhvillimin e Kosovës, në mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë si dhe në tejkalimin e sfidave të sigurisë.
“Ata janë partnerë i pazëvendësueshëm për sigurinë tonë, ecjen tonë përpara në integrimet euroatlantike, prandaj është e domosdoshme që koordinimin ta kemi të plotë”, u shpreh Osmani.
Ndërkaq, pas takimit me Kurtin, zyra e tij tha se biseda me delegacionin amerikan u përqendrua në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Së voni, Kosova ka pranuar disa pajisje ushtarake që i ka blerë nga SHBA-ja, përfshirë dronë dhe autoblinda.
Vendi po ashtu ka porositur sisteme antitank Javelin dhe po ashtu ka nënshkruar Marrëveshjen për Ndërveprueshmëri dhe Siguri në Komunikim (CISMOA), një dokument kyç që mundëson shkëmbim të sigurt të informacionit dhe rritjen e ndërveprueshmërisë mes dy forcave.
“Krahas investimeve në mbrojtje, kryeministri [në detyrë ] u shpreh se Kosova mbetet e palëkundur në orientimin e saj euroatlantik dhe synimin për anëtarësim në NATO dhe BE, jo vetëm si përfituese nga ombrella e sigurisë, por edhe si kontribuuese në paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian”, u tha në njoftimin e Zyrës së Kurtit.
Po ashtu, Kurti me delegacionin amerikan diskutoi për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe teknologjisë dhe në projekte të tjera që pritet të realizohen, sikurse si ato në transportin hekurudhor.
Dy kongresistët amerikanë e zhvilluan vizitën në Kosovë në kuadër të një turneu rajonal. Një ditë më parë ata vizituan Serbinë, ku u takuan me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç./ REL (A2 Televizion)
