Kosova është e ekspozuar ndaj deziformatave dhe narrativave që vijnë nga Rusia dhe Kina, që synojnë të nxisin luftë ndëretnike dhe ndër fetare në vend, të kriminalizojnë NATO-n dhe të ulin besimin e shoqërisë në integrimet euroatlantike. Në këtë përfundim arrin raporti i titulluar “Vorbulla e rrenave”, i hartuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian.
Gjatë analizës janë identifikuar 44 artikuj si materiale që shpërndajnë propagandë nga jashtë, 14 publikime të cilat pretendojnë të dëmtojnë sigurinë e shtetit të Kosovës, dhe qindra të tjera të shpërndara lidhur me ekonominë dhe pandeminë COVID-19.
“Ka një narrativë e cila synon të nxisë luftë brenda Kosovës, ka një narrativë e cila synon që NATO-ja dhe BE-ja e përkrahin vetëm komunitetin shqiptar në Kosovë dhe jo komuniteti serb në Kosovë, ka një narrativë që synon të kriminalizojë NATO-n”, tha Kreshnik Gashi Kryeredaktor përgjegjës, Kallxo.com.
Sakaq, sipas raportit prej 102 faqesh mbështetja e Perëndimit për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) është përkthyer si tentativë për përkrahjen e një lufte të shqiptarëve kundër serbëve.
“Një tjetër narrativë që nuk është e madhe në numër brenda Kosovës, por është gjeneruar pas krizës në veri e i cila ka synuar të tregojë që NATO nuk është duke përkrahur komunitetin shqiptar në veprimet që janë duke i bërë në veri, por po i përkrah serbët dhe kjo na jep sinjalet e para që në pjesën shqiptare ka nisur të zhvillohet një narrative kundër NATO-s dhe BE-së”, tha ai.
Një tjetër narrativë e cila është identifikuar në raport është ajo kundër integrimit në Bashkimin Evropian, duke synuar të portretizojë BE-në si diçka të keqe për Kosovën. Ndërsa sa i përket dezinformatave që burojnë nga Kina, synohet promovimi i Shteteve të Bashkuara si diçka e keqe, si vend që ka kriminalitet të lartë dhe probleme me sundimin e ligjit. Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se Kosova është e prekur nga ndikimi i jashtëm dhe propaganda që synojnë të pengojnë integrimet drejt bllokut evropian. (A2 Televizion)