“Serbia ta njohë Kosovën”, Von der Leyen: Autonomi për serbët për të marrë fondet e BE

Nga Xhevahir Qardaku
30 Tetor 2023, 20:27 | Kosova

Nga Prishtina i kërkoi Serbisë që ta njohë Kosovën. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë ndalesës së saj të dytë të turit në Ballkanin Perëndimor për prezantimin e Planit të Rritjes Ekonomike me vlerë 6 miliardë euro, theksoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. Pasi diskutoi një sërë çështjesh me presidenten Vjosa Osmani, zyrtarja nga Brukseli dënoi ashpër sulmin e armatosur në Banjskë dhe kërkoi që të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Por la një porosi edhe për Kosovën.

“Ftojmë Kosovën të nisë procedurën për zbatimin e Asociacionit, kurse Serbia duhet të pranojë njohjen de-facto. Kjo është mënyra e vetme për të ecur përpara. Edhe atje në Serbi do t’i diskutoj edhe hapat që duhet të ndërmarrë Serbia për njohjen de facto.”

Presidentja Osmani sqaroi qëndrimin e saj lidhur me propozimin europian për draft-statutin e asociacionit, duke lënë të kuptohet se ka disa pika që mund t’i dërgojë në kushtetuese për shqyrtim.

“Në Takimin në Bruksel, Kosova ka treguar një progres për të nënshkruar marrëveshjen dhe aneksin e draftit të statutin. E kam lexuar dhe analizuar, mirëpo vlerësimet e mia do t’i jap me shkrim në momentin që do të kemi nënshkrim. I njëjti kur të shkojë Kushtetuese, sipas dispozitave ligjore do t’i dërgojë komentet si Presidente”.

Osmani kërkoi largimin e masave të vendosura nga BE ndaj Kosovës si dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bllok. Von der Leyen tha se do të shohë se çmund të bëje për heqjen e masave, ndërsa konfirmoi se ecja përpara me asociacionin do të mundësojë qasjen në planin e rritjes ekonomike dhe përshpejtojë rrugën për në BE.

“Më kujtohet viti i kaluar që të dyja ne bëmë thirrje për liberalizim të vizave, dhe tani mund të them se ia dolëm. Që nga 1 janari kosovarët mund të gëzojnë lëvizjen e lirë. Kjo është një mënyrë fantastike për ti afruar njerëzit”.

Presidentja e Komisionit Europian u prit në një takim edhe nga kryeministri Albin Kurti. Më herët vizitoi dhe Shkupin ka la porosi që Maqedonia e Veriut të bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën e integrimit. Von der Leyen do të vizitojë më pas Malin e Zi, Serbinë dhe turin e saj e mbyll në Bosnje e Hercegovinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos