Tensionet para Kuvendit të Kosovës, Kurti kushtëzon Specialen me zgjedhjen e Presidentit

Nga Erjon Dervishi
5 Tetor 2026, 22:35 | Kosova

Tensionet jashtë Kuvendit të Kosovës erdhën duke u shtuar mbrëmjen e sotme, pasi protestuesit hodhën mjete piroteknike, teksa kërkonin që deputetët të kalonin ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale.

Policia e Kosovës iu përgjigj protestuesve me gaz lotsjellës para Kuvendit. Rruga kryesore pranë Kuvendit të Kosovës u bllokua, ndërsa prezente ishin forcat e shtuara të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Në rrugë gjithashtu u dëgjuan edhe sirenat e autoambulancave. Protestuesit kanë tentuar të mos i lejojnë deputetët të largohen nga ndërtesa, duke kërkuar që të miratohen edhe në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Specialen në Hagë.

Rreth orës 19:00, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministri Kurti u larguan nga ndërtesa e Kuvendit. Më herët gjatë ditës, Kuvendi miratoi në parim ndryshimet në ligjin për Specialen, por ato duhet të kalojnë edhe në lexim të dytë për të pasur efekt.

Ndryshimet nuk u hodhën në votim pasi partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti kërkon që Kuvendi ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, afati për të cilin mbaron pas rreth 24 orëve.

Thirrjet dhe reagimet e protestuesve për votimin e ndryshimeve në ligj erdhën pas dështimit të negociatave mes LVV dhe PDK, ku Albin Kurti dhe Bedri Hamza nuk gjetën kompromis për zgjedhjen e Presidentit.

Deputetët e PDK vijojnë të qëndrojnë brenda ambienteve të Kuvendit, duke i bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje të rikthehet në seancë dhe të votojë edhe leximin e dytë të ndryshimeve për Specialen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos