
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale për dënimin e ish-krerëve të UÇK, duke e konsideruar një drejtësi të papranueshme, që duhet korrigjuar në Apel.
“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm. Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit. Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë. Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë”, shkruan Kurti në rrjetet sociale.
Kurti thekson se UÇK-ja nuk ishte zgjedhja e një populli që kërkonte luftë, por përgjigjja e një populli të shtypur.
“Ky aktgjykim nuk mund të lexohet jashtë historisë në të cilën lindi UÇK-ja. UÇK-ja nuk ishte zgjedhja e një populli që kërkonte luftë, por përgjigjja e një populli që, i shtypur dhe i kërcënuar në vetë ekzistencën e tij, kërkonte liri. Populli shqiptar i Kosovës përjetoi heqjen e autonomisë, përjashtimin nga institucionet, dëbimin nga vendet e punës, shkollat dhe universiteti, burgosjet, torturat dhe vrasjet. Më pas erdhën masakrat, djegia e vendbanimeve, dëbimi masiv i qindra mijëra njerëzve nga shtëpitë e tyre dhe gjenocidi. Kjo vuajtje nuk ishte sfondi i rastësishëm i luftës, por realiteti që e bëri qëndresën çështje të mbijetesës së një populli”.
Kurti po ashtu vë në dukje se Kosova do vazhdoj të mbështesë ish-drejtuesit e UÇK në Apel, duke u shprehur se sot u gjykuan veprime të caktuara, por nuk mund të njolloset UÇK.
“Kosova do të vazhdojë të mbështesë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin në procedurën e apelit, në mbrojtje të plotë, dinjitoze dhe institucionale. Kjo është përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë dhe besim në të drejtën për ta kundërshtuar një aktgjykim që ende nuk është përfundimtar. Sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara; nuk u gjykua dhe nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo. Sepse kur atdheu nuk duroi më gjakatarë, ai thirri çlirimtarë, dhe emri i tyre ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.
Gjykata Speciale dënoi të mërkurën me 81 vjet burg në total, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.
(A2 Televizion)