Votime, grindje dhe krizë pa fund, Kuvendi vijon të dielën, PDK heq dorë dhe pret Kushtetuesen

Nga Xhevahir Qardaku
11 Shtator 2026, 16:35 | Kosova

Kuvendi i Kosovës do të provojë të dielën që ta konstituojë legjislaturën e 11-të. Dy seancat e mbajtura gjatë kësaj të premteje prodhuan votime, përplasje të forta verbale, dhe në fund, vetëm thellim të krizës politike dhe institucionale.

Pas dështimit në konsensus për votimin e tyre në paketë, u provua me kandidatët veç e veç. Ardian Gola i Vetëvendosjes u konfirmua nënkryetar me 101 vota pro, ndërsa gjithçka u bllokua kur u provua propozimi i PDK-së.

Deputetja e LVV Arbërie Nagavci shprehet: “Nuk mund të votojmë zonjën Çitaku edhe nuk vazhdojmë tutje në këtë situatë që të konstituojmë Kuvendin, të përdorim 53 votat për të dhënë votë për dikë që ka synim dhe qëllim të na dërgojë në zgjedhje të reja.”

Ky refuzim nga Vetëvendosje bëri që Partia Demokratike e Kosovës të marrë këtë vendim.

Kryetari i PDK Bedri Hamza tha: “Ka përfunduar pjesëmarrja jonë në seancat e kuvendit të Republikës së Kosovës deri në përgjigjen e plotë nga Gjykata Kushtetuese. Presim përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese. Do të dërgojmë brenda afatitit ligjor. Për gjitha shkeljet që kanë përcjellë këtë proces”.

I pyetur nëse do të takohet me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Hamza tha se qëndrimet e PDK-së janë të qarta dhe se, sipas tij, bisedimet tashmë kanë përfunduar.

Tensione pati edhe mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në seancën e dytë të së premtes, kur kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu, provoi që në mungesë të PDK të kalojë për votim kandidatin e tretë për nënkryetar.

Këmbëngulja e kryetares së kuvendit bëri që ligjvënësit e LDK-së të largohen nga salla dhe për pasojë, fundin e vazhdimit të kësaj seance. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos