Vendimi historik për çlirimtarët, gjyqtarët që kanë në dorë fatin e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit

Nga Erjon Dervishi
15 Shtator 2026, 18:04 | Kosova

Pas më shumë se tri vitesh gjykim dhe pas shqyrtimit të një materiali të gjerë provues, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të shpallin më 16 shtator 2026 aktgjykimin në çështjen ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi.

Shpallja e aktgjykimit është caktuar për orën 10:00 të mërkurën.

Seanca, që do të jetë publike dhe do të transmetohet në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe, kësaj radhe ka transmetim më të shpejtë se zakonisht, kur ishte me vonesë prej 45 minutash, meqenëse tani ka për t’u deklaruar vetëm verdikti.

Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të gjithë personat të cilëve u është caktuar vend në galerinë publike, në qendrën e medias apo në dhomat e informimit janë njoftuar përmes postës elektronike lidhur me pjesëmarrjen në hapësirat e gjykatës.

Ndërkohë, janë mësuar edhe tre gjyqtarët e Trupit Gjykues II, të cilët do të vulosin fatin e personave në fjalë. Konkretisht, mësohet se bëhet fjalë për amerikanin Charles L. Smith III, gjermanin Christoph Barthe dhe zviceranin Guénaël Mettraux.

Po ashtu, bëhet me dije se gjyqtari irlandez Fergal Gaynor është pjesë e panelit në cilësinë e gjyqtarit rezervë, i cili nuk jep mendim për vendimet e panelit, përveç rastit kur caktohet për të zëvendësuar një nga gjyqtarët e rregullt.

Gjyqtari amerikan Charles L. Smith III është kryesues i Trupit Gjykues II dhe zëvendëspresident i Dhomave të Specializuara. Smith ka një lidhje të mëhershme me sistemin e drejtësisë në Kosovë. Nga viti 2010 deri më 2013 ka shërbyer si gjyqtar i EULEX-it, ndërsa nga viti 2011 deri më 2013 ishte edhe anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës.

Christoph Barthe, eksperti gjerman i krimeve të luftës, është jurist gjerman me përvojë të gjatë në të drejtën penale dhe ndërkombëtare. Ai ka shërbyer si prokuror pranë Gjykatës Federale të Drejtësisë të Gjermanisë dhe është marrë me ndjekjen e krimeve të luftës dhe gjenocidit.

Guénaël Mettraux, gjyqtari zviceran me përvojë ndërkombëtare. Ai ka punuar në raste para Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Tribunalit Special për Libanin, Dhomave të Jashtëzakonshme në Kamboxhia dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Irlandezi Fergal Gaynor është gjyqtari i katërt që ka ndjekur procesin, por në cilësinë e gjyqtarit rezervë. Ai nuk merr pjesë në votimin për aktgjykimin, përveç nëse caktohet zyrtarisht për të zëvendësuar një nga gjyqtarët e rregullt.

Roli i Panelit është vendimtar: gjyqtarët duhet të vlerësojnë provat e paraqitura gjatë procesit dhe të përcaktojnë nëse Prokuroria ka arritur të dëshmojë fajësinë e secilit prej katër të akuzuarve përtej dyshimit të arsyeshëm. Të katër ish-krerët e UÇK-së i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Vendimi i së mërkurës pritet të jetë një nga momentet më të rëndësishme të procesit gjyqësor, që ka zgjatur më shumë se pesë vjet dhe që ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Në rast të një aktgjykimi fajësues, çështja nuk përfundon domosdoshmërisht me shpalljen e vendimit, pasi palët kanë të drejtë të apelojnë. Ndërkaq, në rast të një vendimi lirues, Prokuroria gjithashtu mund të përdorë mekanizmat e paraparë ligjorë për ankimim.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi përballen me akuzën për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte. Në mesin e akuzave janë përndjekja, burgosja, aktet e tjera çnjerëzore, tortura, vrasja dhe zhdukja me forcë, si dhe arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm e arbitrar, trajtimi mizor, tortura dhe vrasja si krime lufte.

Të katër të akuzuarit pretendohet nga Prokuroria se mbajnë përgjegjësi individuale penale në forma të ndryshme të përgjegjësisë. Ata janë deklaruar të pafajshëm dhe mbrojtja ka kundërshtuar akuzat e Prokurorisë.

Në krye të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është Kimberly West, Prokurorja e Specializuar e tretë e kësaj gjykate. Në çështjen Thaçi dhe të tjerët, ekipi kryesor i Zyrës së Prokurorit të Specializuar përbëhet nga: Alan Tieger, Clare Lawson, Nathan Quick.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos