Protestë, tymuese, lëndë plasëse dhe gaz lotësjellës. Kjo ishte pritja që iu rezervua kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, gjatë vizitës në Prishtinë.
Me slogane të shumta në mbështetje të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, anëtarë të Partisë Social Demokrate organizuan një manifestim tentuan të pamundësojnë takimin e Trëndafilovës me shoqërinë civile.
Dardan Molliqaj, kryetar i PSD, u shpreh: “Tani kur Serbisë nuk po ia kërkojnë njohjen e Kosovës dhe tani kur po ia japin autonominë e serbëve në Kosovë, krerët e UÇK-së janë në Hagë. Këtu, vepra për çfarë këta akuzohen janë vepra të vjetra të UNMIK-ut të vitit 2000-2001, por tani që duhet me u afru me Serbinë, tani duhet ushtarët e UÇK-së me i përndjek”.
PSD-së iu bashkuan edhe anëtarë dhe drejtues të organizatës së veteranëve të luftës. Faton Klinaku, kryetari i OVL-UÇK, tha: “Do të bënte mirë Trendafilova që të bënte diçka për më shumë të drejta të njeriut që ua shkelin atje të paraburgosurve. Siç e dini, në rastin e fundit ua kanë ndaluar edhe komunikimet me familjarë e me vizitorë, gjë që me të vërtet është absurde që të ndalohet kjo”.
Lëshimit të tymuesve dhe lëndëve plasëse, Policia e Kosovës iu përgjigj duke lëshuar gaz lotsjellës. Kjo bëri që protestuesit dhe forcat e rendit të angazhoheshin në një përleshje të fortë fizike. Si pasojë e reagimit të forcave të rendit, që nuk kurseu as pjesëtarët e medias, mbeti i lënduar edhe operatori i A2 CNN në Kosovë, Burim Mjeku.
Gjatë ndërhyrjes, policia arrestoi disa prej aktivistëve që morën pjesë në protestë, përfshirë krytarin e PSD, Dardan Molliqaj, dhe 5 anëtarë të tjerë të partisë. Në përmbyllje të manifestimit, erdhi qetësimi i situatës.
Qëndron Kastrati, nënkryetar i PSD, tha: “Policia e Kosovës dhe institucionet kanë përdorur një dhunë joproporcionale. Ne kërkojmë që duhet me u liru krejt aktivistët e arrestuar”.
Pavarësisht trazirave jashtë godinës, Trendafilova tha në eventin me shoqërinë civile se Gjykata Speciale mund të shqiptojë edhe dënime me burgim të përjetshëm. Ajo shprehu habi për protestën, duke nënvizuar se ata që kanë pakënaqësi mund të vijnë në takim për t’i diskutuar pretendimet. (A2 Televizion)