
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka takuar sot kreun e LDK-së Lumir Abdixhiku për të diskutuar çështjen e Presidentit, raporton A2CNN.
“Janë vetëm dy rrugë përpara, e para ose duhet konsensus politik mes faktorëve të vendit dhe ky konsensus duhet të ndërtohet në ditët e ardhshme ose duhet marrëveshje klasike politike mes partive”, tha Abdixhiku pas takimit.
"Në të dyja rastet duhet së paku 2/3 e votave në Kuvendin e Kosovës. Mbetëm të takohemi në ditët në vijim për të parë të dyja këto mundësi, këto dy rrugë që i kemi përpara", shtoi ai.
Një ditë më parë Kurti u takua me kreun e PDK-së Bedri Hamza. Ky i fundit është shprehur se nuk do të jenë pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesin kandidatura që nuk e përfaqësojnë unitetin qytetar.
Ai kërkuar reflektim nga ata që kanë përgjegjësi kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë.
Kushtetuta parashikon që zgjedhja e kreut të shtetit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani. (A2 Televizion)