
Policia dhe Prokuroria e Lartë Publike në Beograd kanë ndërmarrë një operacion të gjerë kundër korrupsionit, me kontrolle në disa lokacione dhe arrestime të personave të dyshuar, raportojnë mediat serbe.
Mes personave të ndaluar, është edhe ish-ministri Rade Basta, ish-drejtor i Centralit Energjetik të Beogradit. Sipas raportimeve të Radio Televizionit të Serbisë (RTS), ish-ministri është ndaluar në aeroport ndërsa po tentonte të largohej nga Serbia.
Ai dyshohet se i ka shkaktuar dëme financiare ndërmarrjes në vlerën e dhjetëra milionë dinarëve, duke miratuar në mënyrë të pajustifikuar donacione për klube sportive dhe kompani të ndryshme.
Arrestimi i Bastës është kryer nga pjesëtarët e Shërbimit Kundër Korrupsionit, në zbatim të urdhrave të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd.
Ky operacion vjen në kuadër të një vale aksionesh policore në Serbi, ku gjatë dy javëve të fundit janë arrestuar më shumë se 90 persona për vepra të ndryshme penale.
Mes tyre raportohet se ka zyrtarë të lartë policie, bankierë, punonjës të administratës vendore dhe krahinore, si dhe drejtues të ndërmarrjeve publike.
Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka njoftuar një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, e planifikuar për sot në orën 13:00.
(A2 Televizion)