Skandali me videot e fëmijëve trondit Spanjën, qeveria kërkon pezullimin e TikTok-ut

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2026, 10:29 | Teknologji

Skandali me videot e fëmijëve trondit Spanjën, qeveria

Qeveria spanjolle i ka kërkuar TikTok të pezullojë aktivitetin në Spanjë deri në eliminimin e materialeve që përmbajnë abuzim seksual ndaj fëmijëve. Kërkesa u bë publike të martën, pas një investigimi mediatik që evidentoi 1,183 postime me përmbajtje eksplicite në platformë, të cilat kishin marrë miliona shikime.

Ministrja e Rinisë, Sira Rego, ministria e së cilës nuk ka kompetencën për të ndaluar e vetme platformën në Spanjë, u është drejtuar prokurorisë dhe Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave, duke kërkuar marrjen e masave ndaj kompanisë së rrjeteve sociale.

“Rrjetet sociale nuk mund të jenë territore pa ligj”, deklaroi Rego.

Kjo kërkesë vjen disa muaj pasi qeveria e kryeministrit Pedro Sanchez kërkoi nisjen e një hetimi ndaj platformave X, Meta dhe TikTok, për përhapjen e dyshuar të materialeve të abuzimit seksual ndaj fëmijëve, të krijuara përmes inteligjencës artificiale. Ndërkohë, autoritetet evropiane po shtojnë kontrollet ndaj gjigantëve të teknologjisë për përmbajtjet e dëmshme dhe të paligjshme.

Të hënën, organizata jofitimprurëse spanjolle e verifikimit të fakteve, Maldita.es, publikoi një investigim sipas të cilit videot me përmbajtje të abuzimit seksual ndaj fëmijëve ishin parë të paktën 48 milionë herë në platformë. Mbi 26 mijë profile kishin komentuar ose shpërndarë këto materiale.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos