Rama dhe Abazovic në Kiev, ish-ambasadori në Moskë: Ka vlerë simbolike, por Putin po i realizon objektivat  

Nga A2 CNN
15 Qershor 2022, 22:04 | Bota
Rama dhe Abazovic në Kiev, ish-ambasadori në Moskë: Ka vlerë

Vizita e kryeministrit Rama në Ukrainë, së bashku me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazovic, shënon një ngjarje të rëndësishme, për qasjen e Ballkanit Perëndimor ndaj luftës në Ukrainë.  Sipas Shaqir Vukajt, ish-ambasador i Shqipërisë në Rusi, vizita është e rëndësishme për simboliken e saj.

 “Vjen nga dy vende anëtare të NATO-s, dy vende të Ballkanit që është në qendër të vëmendjes dhe politikës ruse, vjen nga një vend sllav si Mali i Zi dhe nga Shqipëria që ka qenë objektiv i Rusisë. Nuk ka këto 3 shekujt e fundit asnjë ngjarje në Ballkan ku nuk ka patur rol Rusia. Ka vlerë simbolike por edhe mësim i mirë për liderët e shumë vendeve perëndimore që kanë premtuar por nuk kanë shkuar aty në vizitë zyrtare”, thotë ambasadori në ”Debat”.  

Sipas tij, pavarësisht nga politika e Beogradit, Serbia ka qenë dhe do të jetë mbështetëse e Rusisë, “pavarësisht përdredhjeve të Vucic për ta mbajtur mirë edhe me Perëndimin. Kujtoj se në takimin e Putin me Vucic në nëntor të vitit të kaluar, Putini deklaroi Kosova është Serbi siç është Ukraina Rusi. Ta shohësh historikisht, qëndrimi i Serbisë ndaj shqiptarëve ka qenë konstant, dhe nuk ndahet nga Kosova. Pavarësisht dëshirave tona të shprehura nga Rama për përmirësim të marrëdhënieve, por me kusht që të njihet Kosova”.

Për sa i përket gjendjes në terren të luftës, ambasadori thotë se lufta nuk ka filluar më 24 shkurt.

“Lufta ka filluar në 2014, më 24 shkurt ka filluar vetëm faza e agresionit ndaj Kievit. Unë akuzoj rëndë Perëndimin. Kur në 2014 u aneksua Krimea dhe filloi lufta në provincat lindore, Perëndimi nuk vuri sanksione. Madje, gjatë gjithë këtyre viteve marrëdhëniet e perëndimit me Rusinë kanë ardhur në rritje, në mënyrë të tillë që kanë ndihmuar Rusinë për t’u fuqizuar në ekonomi dhe në prodhim ushtarak.

Sipas tij, linjat e kuqe ishin të qarta për Vladimir Putin, prej dekadash. “Putin ka përcaktuar qartë objektivat në 2007, në Konferencën e Mynihut. Në Ukrainë nuk ka punë NATO, pas kundërshtimin për anëtarësimin e republikave baltike. Në 2008, Rusia pothuajse pushtoi Gjeorgjinë, Perëndimi vijonte me qasjen e saj”.

Sot rusët kanë deklaruar se mund të ulen në tavolinë, sepse ato po i realizojnë objektivat e veta, në ato pjesë që cilësohet nga vetë Putin si Novorossiya, Rusia e Re”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos