Rama-Di Maio: Italia do të mbështesë në terren luftën ndaj KÇK

Nga A2 CNN
11 Dhjetor 2019, 16:13 | Politikë
Rama-Di Maio: Italia do të mbështesë në terren luftën

Kryeministri Rama priti në takim ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio, të cilin e falenderoi për ndihmën e ofruar nga Roma jo vetëm për tërmetin, por edhe për integrimin europian të Shqipërisë.

Rama theksoi se Italia do të mbështesë me njerëz në terren luftën ndaj krimit të organizuar dhe të ashtuquajturit grupi KÇK.

“Kemi diskutuar edhe reformën e drejtësisë edhe legjislacionin në drejtësi kundër KÇK-së. Kemi diskutuar edhe mbi njësinë speciale kundër korrupsionit. Ministri më ka konfirmuar gatishmërinë e Italisë për mbështetje edhe me njerëz në terren”, u shpreh Rama.

“I theksova Kryeministrit mbështetjen e fortë të Italisë për integrimin europian të Shqipërisë dhe Maqedoninë e Veriut edhe pas mos-hapjes së negociatave të anëtarësimit nga Këshilli tetorin e kaluar. Italia do të insistojë mbi nevojën për një vendim pozitiv ndaj dy vendeve me parashikimin e një date për thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare për të nisur përgatitjen e kuadrit negociator. Komplimentova Kryeministrin për të gjitha iniciativat ligjore të ndërmarra apo që po adoptohen e që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe forcimit të strukturave shtetërore. Jemi të lumtur të përforcojmë luftën tonë të përbashkët kundër korrupsionit, duke rritur bashkëpunimin mes forcave tona të rendit, duke shtuar shkëmbimin e informacioneve dhe të eksperiencës”, tha Di Maio. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos