
Kryeministri Edi Rama ka vijuar replikat me presidentin Meta, për situatën e pandemisë në vend.
Përmes postimeve në Twitter, kreu i qeverisë shkruan se infektimet dhe humbjet e jetës po shtohen kudo në botë. Duke marrë sërish shembullin e Italisë, Rama shkruan se krahasuar me numër popullsie, duhet të kishim 30 vdekje në ditë.
Po ashtu, kryeministri e pyet sërish kreun e shtetit se çfarë do akoma nga Shqipëria.
“Ilir, infektimet dhe humbjet e jetës po shtohen fatkeqësisht kudo në botë, pavarësisht nga testimet e nga dënglat e tua, Lulit, Monikës e Saliut! Sot në Itali kanë humbur jetën aq sa Shqipëria gjithsej. Krahasuar me numër popullsie i bie që duhet të kishim 30 vdekje në ditë!
Si shpjegohet që tërë kjo botë nuk po ia del dot më mirë se ne, meqë këtu e paska fajin qeveria për rritjen e numrave? Pyetje kot kjo se ti je Shvejku, "Ç'më duhet mua ça them unë!", jo Presidenti i Republikës! Si të ra kështu kallaji fare o njeri, çfarë do akoma nga Shqipëria!”, shkruan kreu i qeverisë. (A2 Televizion)