Presidenti ka bërë shkelje të pafundme të Kushtetutës, por socialistët do të pranojnë rekomandimin e Komisionit të Venecias ku thuhet se pavarësisht të gjitha shkeljeve, nuk janë aq të rënda sa të justifikojnë shkarkimin e tij.
“Uji i Venecias nuk e ka nxjerrë të larë presidentin, por ka nxjerrë në pah shkeljet e tij. Është sjellë në zyrën e Presidentit si tutor i opozitës, kjo është e vërteta dhe këtë e dinë të gjithë. Ne e zgjodhëm Presidentin e Republikës, por të gjithë harrojnë se Ilir Meta u bë president me votat e tij dhe tonat”, tha Rama gjatë fjalës së tij në Parlament, ku u prezantua raporti i Komisionit të Posaçëm të ngritur për shkarkimin e Presidentit.
“Qysh në atë kohë e kam thënë që zgjodhëm presidentin më të mirë që mund të kishte zgjedhur opozita për veten e vet. As unë vetë nuk e kisha paraparë që presidenti do të ishte aq i mirë për opozitën sa do të bëhej i keq për Shqipërinë, me akte vandale ndaj Kushtetutës dhe me akte në kundërshtim të plotë me traditën e vendosur në atë zyrë nga të tjerë. Para Ilir Metës, Bujar Nishani dukej si George Washington. Ishte absolutisht në rregull me Kushtetutën. Ilir Meta e ka kthyer zyrën e presidentit në një seli të operacioneve politike të njëanshme dhe vatër të hedhjes në zjarr duke përdorur Kushtetutën si letër dhe mllefin ndaj kësaj shumice, si benzinë”, shtoi Rama. (A2 Televizion)