
Shqipëria shënon rënie në luftën kundër korrupsionit. Raporti i fundit i organizatës Transparency International, mbi shkallën e korrupsionit në botë, e ka radhitur Shqipërinë në vendin e 99-të, ndryshe nga një vit më parë kur renditej e 91-ta.
Raporti që përfshin 180 vende të botës përdor një shkallë nga zero deri në 100 pikë, ku zero tregon një vend shumë të korruptuar.
Në raport thuhet se Shqipëria ka shënuar përmirësim gjatë pesë viteve të fundit, duke lëvizur nga 31 pikë sa kishte në vitin 2013, në 36 në vitin 2018.
Megjithatë ajo ka një rënie prej dy pikësh në krahasim me vitin e kaluar. Kjo sipas Transparency International mund të ketë ndodhur për shkak të ngërçit politik që bllokoi disa reforma anti-korrupsion.
Sipas raportit me një proces të ri të vetingut dhe kuadrin institucional kundër korrupsionit pothuajse të plotë, mbetet për t'u parë nëse Shqipëria do të përmirësojë rezultatin e saj në të ardhmen.
Kosova ndërkohë renditet e 93-ta. Para Shqipërisë janë edhe Maqedonia, Serbia dhe Bosnje Hercegovina. (A2 Televizion)