
Reali i Madridit nuk heq dorë nga Kylian Mbappé. Gjigantët spanjollë po përgatisin ofensivën e radhës për sulmuesin, duke nisur nga vera e ardhshme, sapo të përfundojë sezoni.
Ylli i Francës, i cili u shpall golashënuesi më i mirë i Kupës së Botës, cilësohet si lojtari që do të dominojë skenën e futbollit ndërkombëtar. Kjo është arsyeja përse Florentino Perez nuk është dorëzuar dhe synon ta transferojë me çdo kusht në Madrid, edhe pse bëhet fjalë për një operacion me vlerë një miliard euro, bazuar në investimin për blerjen e kartonit, pagën e jashtëzakonshme dhe sponsorët.
Disa muaj më parë, Mbappé ishte praktikisht blerja e bujshme në Bernabeu. Megjithatë, në trekëndëshin ekonomik të krijuar mes Francës, Katarit dhe Paris Saint Germain, prevaloi ndërhyrja shtetërore e Presidentit Emmanuel Macron që lojtari të mos largohej.
Sheikët i vendosën në dispozicion 630 milionë euro. Aty përfshihej kontrata me pagë 180 milionë euro për sulmuesin, bonusi i besnikërisë 70 milionë euro nëse nuk largohet në vitin 2023, 80 milionë nëse qëndron në Paris deri në 2025 dhe 90 milionë euro nëse rinovon deri në 2026.
Këto shifra nuk e kanë trembur Perez, që është gati të paraqitet me ofertë më të lartë. Kylian Mbappé firmosi për dy vjet, deri më 2024 dhe verën e ardhshme do të vendosë nëse do të shfrytëzojë opsionin e qëndrimit deri më 2025, apo nëse largohet me parametër zero pas 12 muajve.
Te Paris Saint Germain apo te Reali i Madridit, 24-vjeçari do të jetë lojtari më i paguar në qarkullim. Çfarëdo që të ndodhë, në fund i fituar do të jetë vetëm Mbappé. Të gjithë duan ta mbulojnë me flori yllin e të ardhmes së futbollit. (A2 Televizion)