
Bujar Nishani deklaroi në “Intervistë” me Merita Haklajn se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, përpos vendimeve që mund të marrë mbi statutin, “do të duhet që ta delegojë edhe më gjerë demokracinë në parti, ta delegojë te anëtarësia përmes parashikimit të organizimit të një referendumi, ku ndoshta të ratifikohen këto vendime të Kuvendit Kombëtar dhe mbi të gjitha, meqë dhe kryetari është zgjedhur me parimin “një anëtar, një votë”, që do të thotë referendum, të gjykojë edhe mbi lidershipin e Partisë Demokratike”.
“Çështja e lidershipit të Partisë Demokratike është një prej çështjeve të rëndësishme të ndryshimeve që duhet të ndodhin në këtë parti. Realiteti e ngarkon me përgjegjësi politike dhe institucionale kryetarin e partisë, Lulzim Bashën. PD-ja duhet të reflektojë ndaj këtij realiteti dhe për mua, gjëja më e mirë është që të bëhet përmes një referendumi, edhe për faktin se kreu i PD-së është zgjedhur me “një anëtar, një votë”. I takon anëtarësisë së PD-së të vendosë se si duhet ta ketë ajo partinë e vet, me çfarë programi, me çfarë statuti dhe me cilin lider”, shtoi Nishani. (A2 Televizion)