Reforma në Drejtësi, Daci: Krahas sistemit duhet pastruar edhe KLGJ dhe KLP, kanë persona që nuk përmbushin standardet

Nga A2 CNN
10 Gusht 2020, 21:23 | Aktualitet

“Për momentin, në raport me qytetarin, reforma ka patur vetëm efekte negative, sot ka më pak drejtësi dhe standarde më të këqija”. Ky është gjykimi dhe bilanci i deritanishëm i juristit Jordan Daci për reformën në drejtësi, edhe pse shton se “presim ato pozitive në të ardhmen, por do të duhen 5 deri në 10 vite”. Sipas tij, edhe pse mesazhi i përgjithshëm i vetingut është “në përgjithësi pozitiv, ai ka hasur në vështirësi dhe ka probleme që duhen adresuar nga një metodologji të ndryshme të trajtimit të rasteve”. Problem madhor për Dacin janë vendet e lira që mbeten si pasojë e largimit, “po shkojmë drejt mbylljes totale të gjykatave të apelit si ajo e Tiranës, sot Shkodra humbi një nga gjyqtarët më profesional edhe pse KPK e ka vlerësuar negativisht”, shprehet ai për A2. Pikërisht organet e Vetingut sipas tij lënë për të dëshiruar. “ KPK pjesërisht po pastron sistemin, por edhe po e dëmton. Mendoj se krahas pastrimit të sistemit duhet të pastrohen edhe vetë këto organizma si KLGJ dhe KLP që kanë në brendësi persona që nuk mendoj që kanë kriteret dhe standardet për të gjykuar rastet që i paraqiten. Ne presim një proces ku vlerësuesit e gjyqtareve të jenë në një nivel më të lartë edhe profesionalisht në argumentimin e shkarkimeve, ndërkohë që ka shkarkime shabllon”, akuzon ai. Sipas tij, ndërkohë, Shkolla e Magjistraturës nuk po jep garanci për të dhënë një gjenerate premtuese prokuroresh dhe gjykatësish të nivelit të lartë, “për shkak të një metodologjie dhe kurrikulash të tejkaluar por edhe për shkak të kulturës për të studiuar dhe bërë drejtësi”, pa folur për meritokracinë ku futen sipas tij edhe ndikimet politike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos